Sondazh

15 vite nga vrasjet në Bulevard, mendoni do ketë drejtësi për 21 janarin?

Loading ... Loading ...
 

Mollët europiane të kontaminuara me pesticide

schedule16:52 - 30 Janar, 2026

schedule 16:52 - 30 Janar, 2026

Një studim i ri kritikon procedurën e vlerësimit të rrezikut të Bashkimit Europian për pesticidet, duke argumentuar se ato analizohen në mënyrë të izoluar dhe jo duke u fokusuar te ndikimi i efektit “koktej”, pra kombinimi i disa mbetjeve pesticidesh të pranishme në fruta dhe perime.

Trembëdhjetë vende europiane po shesin mollë në tregje dhe supermarkete me një përqendrim shqetësues mbetjesh pesticidesh, të njohura zakonisht si “kokteje pesticidesh”, sipas një raporti të një OJQ-je që i bën thirrje Bashkimit Europian të rregullojë ekspozimin ndaj këtyre kimikateve.

Belgjika, Kroacia, Çekia, Danimarka, Franca, Gjermania, Hungaria, Italia, Luksemburgu, Holanda, Polonia, Spanja dhe Zvicra kanë raportuar ndotje të mollëve, sipas raportit më të fundit të Pesticide Action Network (PAN) Europe, i cili kritikon procedurën e vlerësimit të rrezikut të BE-së për faktin se i trajton pesticidet në mënyrë të ndarë dhe shpërfill efektin “koktej”.



“Një nga rezultatet më tronditëse është se 85% e mollëve të testuara përmbanin disa mbetje pesticidesh,” tha Gergely Simon, aktivist në PAN Europe. “Autoriteti Europian për Sigurinë Ushqimore (EFSA) u ngarkua 20 vjet më parë të zhvillonte një metodologji për të rregulluar efektet koktej të pesticideve, por ende nuk e ka përmbushur këtë detyrim ligjor.”

Raporti thekson se, nëse këto mollë do të shiteshin si ushqim i përpunuar për foshnje, 93% e tyre do të tejkalonin kufirin ligjor të BE-së për nivelet e pesticideve për fëmijët nën 3 vjeç.

“Prindërit e rinj nuk janë të vetëdijshëm se ushqyerja e fëmijëve me fruta ose perime të freskëta konvencionale e rrit ndjeshëm ekspozimin e tyre ndaj pesticideve, ndonjëherë deri në 600 herë, tha Simon. Autoritetet publike duhet t’i informojnë ata dhe të promovojnë me prioritet ushqimin organik.”

Raporti kritik vjen në një kohë kur rregullat e BE-së për trajtimin e “koktejeve të pesticideve” mbeten pezull, me shumë grupe aktiviste që i bëjnë thirrje Komisionit Europian dhe EFSA-s të përshpejtojnë vlerësimin e rrezikut kumulativ të pesticideve.

Ndërsa çështja e vlerësimit të efekteve të kombinuara të disa pesticideve u pranua për herë të parë në vitin 2005, vetëm në vitin 2020 EFSA kreu një vlerësim pilot të efekteve të kombinuara mbi tiroiden dhe sistemin nervor.

Që nga viti 2021, Komisioni dhe EFSA kanë punuar për të zgjeruar vlerësimet kumulative të rrezikut për më shumë grupe pesticidësh, me synimin që t’i integrojnë plotësisht në legjislacion deri në vitin 2030. Një zëdhënës i EFSA-s tha se puna për të vlerësuar problemin e “koktejve të pesticideve” është “komplekse”, pasi përfshin grupe të mëdha të dhënash, mjete të reja softuerike dhe bashkëpunim të gjerë me partnerë europianë dhe ndërkombëtarë.

Pesticidet dhe “kimikatet e përjetshme”

Studimi shkencor i PAN Europe u zhvillua nga 1 deri më 20 shtator 2025, gjatë të cilit studiuesit përzgjodhën nga tre deri në pesë mostra të mollëve konvencionale të prodhuara lokalisht, nga supermarkete ose tregje, për një total prej 59 mostrash mollësh të prodhuara në nivel kombëtar, sipas raportit.

Gjetjet zbulojnë se 71% e mostrave të mollëve përmbanin të paktën një mbetje të kategorisë së pesticideve më toksike sipas BE-së, 64% përmbanin të paktën një mbetje të pesticideve PFAS, të njohura edhe si “kimikate të përjetshme”, dhe 36% përmbanin një pesticid neurotoksik.

Fludioxonil, një pesticid PFAS, u gjet në pothuajse 40% të mostrave, sipas raportit, i cili vëren se ky kimikat i rrezikshëm u klasifikua si çrregullues endokrin në BE në vitin 2024.

Propozimi do t’u lejonte gjithashtu vendeve të BE-së të shpërfillnin gjetjet më të fundit shkencore kur vlerësojnë rreziqet e pesticideve./Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!