Nga tribuna, direkt në fushë si titullar. Mario Mitaj u kthye në aksion me Al Ittihad në kampionatin saudit, duke luajtur në formacion në barazimin 2-2 që skuadra e tij arriti në transfertën kundër Al Fateh.
Por përtej rezultatit dhe paraqitjes personale, kjo ndeshje tregon qartë për situatën aspak pozitive të mbrojtësit të kombëtares kuqezi.
Pasi kishte luajtur vetëm një herë në gjashtë ndeshjet e fundit, Mitaj pritej të ndiqte sërish sfidën nga tribuna, I penalizuar edhe një herë nga rregullorja e kampionatit saudit që detyron skuadrat të kenë në dispozicion vetëm tetë lojtarë të huaj.
Por futbollisti kuqezi mori një asist nga ylli i skuadrës Karim Benzema vetëm pak orë përpara nisës së ndeshjes.
Sulmuesi francez nuk pranoi të zbresë në fushë, pas përplasjes me klubin në lidhje me rinovimin e kontratës.
Al Ittihad ka vendosur të mos paguajë asgjë për futbollistin, duke e lejuar atë të marrë të gjitha të ardhurat nga të drejtat e imazhit.
Sigurisht kjo nuk është pranuar nga Benzema, që ka refuzuar të luajë, duke liruar një vend në ekip për Mario Mitaj, që menjëherë u aktivizua si titullar nga trajneri Sergio Conceicao.
Kjo tregon se tekniku portugez vlerëson mbrojtësin kuqezi, por është I detyruar ta sakrifikojë për shkak të rregullores.
Por kjo situatë nuk është aspak në favor të futbollistit shqiptar, që deri në ditën e fundit të merkatos mund të gjejë një tjetër sistemim. Vetëm pak ditë më parë, drejtori sportiv i Al Ittihad pranoi se ka dy oferta për Mario Mitaj. Mediat zbuluan se bëhej fjalë për Atletico Madrid në Spanjë dhe Sunderland në Angli. Secila prej tyre do të përfaqësonte kapërcimin e madh në karrierën e mbrojtësit të kombëtares shqiptare.


