Në 90 vjetorin e lindjes së kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare, Akademia e Shkencave boton veprën me 2500 shkrime në kritikën botërore që nga vitet 70 deri në 2015.
Studiuesi Bashkim Kuçuku i cili ka përgatitur veprën rrëfen në emisionin “Pas Mesnatë” hijen makbethiane në jetën e Kadaresë.
“Ky vëllim është i treti, vjen pas dy të tjerëve dhe puna është bërë njëherësh për të gjithë bashkë, është një punë shumëvjecare, të paktën nga 1992-1993. Informacionet për botimet jashtë ishin shumë të pakta, të përzgjedhura dhe doja të dija deri ku shkonte. Pak nga pak doli shumë punë”, Kuçuku, ndërsa ndan bisedën me shkrimtarin e njohur në bibliotekën që ndodhej në shtëpinë e tij.
“Kam punuar për ditë të tëra, mbaja shënime cfarë kishte në bibliotekë Ismail Kadare, ishte një informacion i jashtëzakonshëm, një formim kulturor që më krijoi mundësinë ku mund të përqëndrohesha për të kapur nga vepra e tij. Nuk kishte shumë libra atje, kishte libra të përzgjedhur, shkrimtarë në gjuhën ruse dhe gjuhë të tjera”, shton më tej ai.
Kuçuku thekson se Kadareja e befasoi kritikën botërore që në vitet ’70, duke e vendosur letërsinë shqipe në hartën ndërkombëtare. Romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i përkthyer në 35 gjuhë, u kthye në një pikë referimi jo vetëm për autorin, por edhe për njohjen e Shqipërisë, gjuhës shqipe dhe letërsisë sonë në botë.
Rruga letrare e shkrimtarit nisi herët.
“ Kadareja që në moshën 12-vjeçare kopjonte ‘Makbethin’, duke treguar se ndikimi shekspirian do ta shoqëronte gjatë gjithë jetës krijuese. Thelbi i njeriut është fëmijëria dhe hija shekspiriane e shoqëroi deri në fund”, nënvizon kritiku.
Ndërkohë që jashtë Shqipërisë Kadareja pati jehonë të madhe në shtypin botëror, brenda vendit ai shpesh u cilësua si tradhtar. Kuçuku kujton se protestat studentore nisën me thirrjen “Kadare” në universitete dhe se ka pasur përpjekje për ta hequr nga programet shkollore. “Nëse do ta hiqnin nga kurrikulat, do hiqja dorë nga pedagogjia”, shprehet ai me vendosmëri.
Vepra e Kadaresë është analizuar nga akademikë, nobelistë dhe gazetarë nga e gjithë bota. Sipas Kuçukut, madhështia e tij qëndron edhe në faktin se Kadare është në qenien edhe të atyre që nuk e duan, por e pëlqejnë./abcnews.al


