Këshilli i Qytetit të Sarajevës dha pëlqimin më 28 janar që Qyteti i Sarajevës t’i bashkohet procedurës penale që po zhvillohet para organeve gjyqësore në Milano të Italisë kundër personave të dyshuar se kanë shtënë me snajper ndaj qytetarëve të Sarajevës në kohën e luftës.
Në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, mediat italiane raportuan se prokuroria e Milanos ka nisur hetime për “turistët snajperistë”, të cilët, sipas kallëzimit të shkrimtarit dhe gazetarit Ezio Gavazzeni, paguanin shuma të mëdha parash për të shkuar në pozicionet e Ushtrisë së Republikës Sërpska rreth Sarajevës dhe, kryesisht “për argëtim”, qëllonin me snajper dhe vrisnin qytetarë në Sarajevën e rrethuar.
Pas disa përpjekjeve të Radios Evropa e Lirë për ta intervistuar, Gavazzeni përmes ndërmjetësve bëri të ditur se nuk dëshironte të fliste. Ndërkohë, ai mbajti një konferencë për shtyp në Milano ku tha se në muajin shkurt do të publikojë një libër për “turistët snajperistë”.
Gavazzeni tha se pretendimet e para për shkuarjen e të huajve në vijën e frontit i kishte parë në vitin 1995, në një shkrim të botuar në gazetën Corriere della Sera, pas së cilës kishte nisur të shkruante një thriller për këtë temë. Ai u shpreh se shpejt e kuptoi se dinte shumë pak dhe hoqi dorë. Por, vetëm deri në vitin 2022 dhe kur pa dokumentarin “Sarajevo Safari” të regjisorit slloven Miran Zhupaniq.
Prokuroria në Milano pritet ta informojë publikun për rezultatet e hetimeve në mars të vitit 2026. Nëse ngrihet aktakuzë dhe vërtetohet fajësia, ky do të jetë rasti i parë në Evropë ku dikush përgjigjet para gjykatës për vrasje me snajper të civilëve në Sarajevë.
Ndërkohë, drejtësia e Bosnjë e Hercegovinës po i verifikon pretendimet, por deri më tani asnjë snajperist nuk është ndjekur penalisht për vrasjen e civilëve, veçanërisht të fëmijëve në Sarajevë.
Gazetarët dhe fotoreporterët e huaj, pothuajse gjatë gjithë kohës së luftës nga viti 1992 deri në fund të vitit 1995, herë pas here kishin mundësi të qëndronin në pozicionet e forcave serbe rreth Sarajevës.
Radio Evropa e Lirë kontaktoi disa prej tyre, por askush nuk mundi të konfirmonte se kishte parë ndonjëherë një të huaj që kishte paguar për të ardhur dhe për të qëlluar ndaj civilëve.
Gjatë gati katër vjetëve të rrethimit të Sarajevës, sipas të dhënave të shoqatave të viktimave dhe aktgjykimeve të gjykatave ndërkombëtare, çdo i dhjeti fëmijë i vrarë në qytet u qëllua nga një plumb snajperi. Më shumë se 14.000 fëmijë u plagosën.
Megjithatë, asnjë snajperist nuk ka dhënë llogari mbi bazën e përgjegjësisë personale – as para gjykatave vendore dhe as atyre ndërkombëtare.
Tribunali i Hagës, në aktgjykimet kundër zyrtarëve më të lartë të Republikës Sërpska, ka konstatuar se fushata e snajperistëve kishte një qëllim: “të terrorizonte civilët e Sarajevës”.


