Tre zyrtarë të Komunës së Prishtinës janë arrestuar gjatë një aksioni më 27 janar, nën dyshimet për veprat penale të “keqpërdorimit të detyrës zyrtare” dhe “marrjes së ryshfetit”.
Prokuroria Themelore në Prishtinë tha se aksioni u krye me masa të veçanta hetimore dhe një nga zyrtarët u zu në flagrancë duke marrë ryshfet.
Ndërkaq, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se komuna do të ofrojë bashkëpunim me organet përgjegjëse për këtë rast.
Sipas ligjeve në fuqi, për marrje të ryshfetit, një zyrtar mund të dënohet me gjobë, por edhe me burgim deri në 15 vjet, varësisht nga vlera materiale që rezulton nga kjo vepër penale. / abcnews.al /


