Të ardhmes nuk I dihet, por është në rrugën e duhur dhe për momentin mund të jetojë me ëndrrën e parë të madhe të realizuar.
Po flasim për Raffaele Huli, portieri shqiptar, që vetëm 17 vjeç u grumbullua për herë të parë për një ndeshje të Serie A. Dhe jo nga një skuadër çfarëdo dhe një ndeshje të zakonshme, por nga Juventus në sfidën e madhe kundër Napolit për javën e 22 të kampionatit italian.
Trajneri Luciano Spalletti e ftoi në ekipin e parë, pas mungesës së portierit të tretë Carlo Pinsoglio. Një shpërblim I madh ky për paraqitjet e tij me skuadrën e të rinjve të Juventus, si në kampionat ashtu edhe në “Youth League” me “Zonjën e Vjetër”.
Me origjinë nga Shkodra, por i lindur në Itali, Raffaele Huli konsiderohet si një talent i vërtetë, ndërsa ka zgjedhur të përfaqësojë Shqipërinë. Ai ka luajtur me ekipet zinxhirë të përfaqësueses kuqezi, duke mbrojtur portën e ekuipit U17 në 10 ndeshje dhe tani atë U19 në katër sfida të tjera.
Grumbullimi i fundit me Juventus në Serie A nuk është rastësi, ndërsa nuk I dihet, ndoshta në të ardhmen do ta shohim edhe në fushë me “Zonjën e Vjetër”, portën e së cilës e kanë mbrojtur emra të mëdhenj, mjafton të përmendësh Gianluigi Buffon./abcnews.al


