Nga Bajram Begaj*
Hapja e vitit gjyqësor nuk përcakton vetëm një kalendar të ri pune, por shënon hapjen e një kapitulli të ri përgjegjësie të përbashkët për shtetin e së drejtës, për besimin e qytetarëve dhe për autoritetin e sistemit të drejtësisë në vendin tonë.
Ky vit gjyqësor përkon me një moment domethënës: 10-vjetorin e nisjes së reformës në drejtësi, reformës më të thellë dhe më transformuese në historinë institucionale të Republikës së Shqipërisë.
E ndërtuar mbi një konsensus të gjerë politik dhe me mbështetjen e pakushtëzuar dhe të fortë të partnerëve tanë strategjikë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, reforma ishte përgjigja e domosdoshme ndaj një krize të thellë besimi në sistemin e drejtësisë.
Reforma në drejtësi gëzoi mbështetje të madhe publike dhe krijoi pritshmëri të larta për një drejtësi të pavarur, funksionale dhe me integritet.
Dhjetë vjet më pas, rezultatet janë të dukshme. Shumica e qytetarëve besojnë se epoka e pandëshkueshmërisë ka filluar të marrë fund. Raportet ndërkombëtare, mediat dhe publiku, me të drejtë, i kushtojnë vëmendje aktivitetit dhe sukseseve të SPAK-ut dhe GJKKO-së, por në sistemin tonë të drejtësisë kemi edhe struktura të tjera, gjyqtarë e prokurorë, të cilët, po me kaq përkushtim, profesionalizëm, dinjitet dhe përgjegjësi, kanë arritur të japin drejtësi.
Sot, të gjithë aktorët politikë, publikë, institucionet, media dhe shoqëria civile i referohen gjithnjë e më shumë Kushtetutës dhe organeve të drejtësisë, duke adresuar problematikat, pretendimet apo konfliktet në rrugë ligjore. Ky është tregues i një kulture të re juridike dhe demokratike, por kjo kulturë kërkon edhe respektimin e vendimeve gjyqësore nga të gjithë.
Drejtësia funksionon kur respektohet, jo vetëm kur deklarohet.
Të nderuar të pranishëm,
Boshti themelor i reformës në drejtësi ishte pavarësia e gjyqësorit.
Sot, gjyqësori është juaji. Sistemi i drejtësisë ka fituar autonomi të plotë. Kjo pavarësi është një arritje madhore, por pavarësia shkon domosdoshmërisht krah për krah me përgjegjësinë. Edhe funksionimi, integriteti dhe besueshmëria e sistemit të drejtësisë janë, në radhë të parë, përgjegjësia juaj.
Pavarësia e sistemit të drejtësisë është gur themeli i patjetërsueshëm i rendit tonë kushtetues dhe funksionimit të shtetit të së drejtës. Pavarësia e gjyqësorit nuk duhet kuptuar vetëm si ndarje formale nga pushteti politik. Ajo është aftësi reale e sistemit të drejtësisë për të ushtruar funksionet pa presione apo ndërhyrje, duke garantuar një drejtësi efektive, të paanshme dhe në përputhje me standardet evropiane. Por kjo pavarësi nuk duhet të kthehet në një vetëizolim institucional apo mungesë llogaridhënie.
Të nderuar magjistratë,
Ky vit gjyqësor duhet të shënojë kalimin nga faza e reformës në drejtësi në fazën e drejtësisë funksionale e të qëndrueshme. Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë kanë rol thelbësor për të krijuar norma, praktika unifikuese dhe garantim të sigurisë juridike. Strukturat e qeverisjes së sistemit: Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe Shkolla e Magjistraturës mbeten thelbësore në funksionalitetin e sistemit të drejtësisë për vetëmenaxhim, transparencë dhe llogaridhënie. Çështjet administrative, procedurale dhe buxhetore të sistemit të drejtësisë nuk mund të adresohen nga një institucion i vetëm. Ato kërkojnë bashkërendim dhe bashkëpunim ndërinstitucional, veprime të domosdoshme dhe thelbësore për suksesin e reformës në drejtësi.
Të nderuar magjistratë,
E mirëkuptoj kompleksitetin e funksionit të çdo gjyqtari apo prokurori. I kuptoj sfidat dhe vështirësitë me të cilat përballet sistemi i drejtësisë, por, nga ana tjetër, shqetësimet e qytetarëve që i kërkojnë drejtësisë vendimmarrje të drejta dhe në kohë të arsyeshme, ashtu siç ligji parashikon, mbeten detyrim kushtetues për garantimin e të drejtave themelore dhe përbëjnë elementin thelbësor të një procesi të rregullt ligjor dhe me standarde.
Është e vërtetë se drejtësisë, që të funksionojë, i duhen kushte optimale, kushte që i japin funksionit dinjitet, por mungesa e tyre nuk duhet të na bëjë të harrojmë se, para së gjithash, drejtësia është ideal dhe pastaj zotim publik.
Prej vitesh drejtuesit tuaj kanë kërkuar, me të drejtë, më shumë pavarësi, siguri, mbrojtje dhe respekt për magjistratët. Vrasja tragjike e gjyqtarit Astrit Kalaja në tetor të vitit të kaluar është një kambanë alarmi për të gjithë ne, institucionet dhe shoqërinë shqiptare. Siguria e jetës dhe dinjiteti juaj nuk janë privilegje, por kusht për ekzistencën e shtetit të së drejtës.
Por pavarësia, siguria dhe respekti nuk janë qëllimi në vetvete. Ato janë vetëm mjete për të realizuar qëllimin. Çdo ditë, çdo ditë duhet të flasim për qëllimin, për drejtësinë dhe cilësinë e saj, për vënien e sistemit në eficiencë, për rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, për shmangien e arbitraritetit dhe forcimin e standardeve, për suksesin e mekanizmave të vetëkontrollit. Vetëm kështu merr kuptim pavarësia dhe fitohet besimi publik.
Jo çdo gjë varet nga ju. Disa i ka në dorë t’i zgjidhë qeveria e ca më shumë parlamenti. Por ato që janë në dorën tuaj, janë të rëndësishme, janë themelore për mbarëvajtjen e reformës.
Në këtë kontekst, kërkohet përgjegjësi institucionale, ku vendimmarrja të jetë ushtrim i funksionit kushtetues që garanton siguri juridike, parashikueshmëri dhe barazi përpara ligjit.
Të nderuar pjesëmarrës,
Një tjetër parim i drejtësisë është: drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar.
Zvarritjet procedurale, qartësia e vendimeve, koha e gjatë që merr shqyrtimi i dosjeve dhe zbardhja me vonesë e vendimeve perceptojnë te qytetarët impaktin negativ për sistemin e drejtësisë, për jetën, të drejtat, pronën dhe mjedisin e tyre.
Forcimi i standardeve, unifikimi i praktikës gjyqësore, eficienca institucionale dhe cilësia e vendimmarrjes janë parakushte për rikthimin dhe konsolidimin e besimit publik.
Në institucionet e së drejtës nuk ka vend për tranzicion. E drejta nuk negociohet. Dhënia e drejtësisë është sa përgjegjësi dhe profesionalizëm, aq edhe akt i lartë shtetarie.
Vetëm duke dhënë drejtësi, duke fituar besim te qytetarët, duke garantuar shtetin e së drejtës, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe forcuar institucionet do të kemi progres të qëndrueshëm edhe në rrugën tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Kjo është zgjidhja e vetme që kemi dhe sfida më e rëndësishme për institucionet që ndodhen sot në këtë sallë, si dhe të gjithë ata që flasin, veprojnë dhe vendosin në emër të Kushtetutës dhe ligjit.
Të nderuar magjistratë,
Si President i Republikës do të vijoj të mbështes fuqimisht forcimin e pavarësisë dhe funksionalitetit të sistemit të drejtësisë, të mbështes çdo nismë që shkon në drejtim të forcimit të institucioneve të drejtësisë dhe ruajtjes së integritetit të tyre, por gjithmonë do të mbetem një zë i qartë në mbrojtje të interesave të qytetarëve që presin drejtësi funksionale, të ndershme dhe të barabartë për të gjithë.
Ju uroj një vit pune të mbarë, në shërbim të ligjit dhe në nder të Shqipërisë!
Faleminderit!
*Fjala e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, në “ceremoninë e hapjes së vitit gjyqësor”


