Nga Eduard Zaloshnja
Rutina e zakonshme e protestave të thirrura nga Berisha u përsërit edhe në protestën e fundit.
Të mobilizuar nga Berisha, vartësit e tij nëpër degët e PD-së sollën në bulevard përkrahësit e tyre nga ishin e nga s’ishin, i rreshtuan në mëyrë të shpërndarë (që të dukeshin sa më të shumtë në planet horizontale të kamerave televizive), i mbajtën në bulevard deri sa mbaruan fjalimet dhe molotovët e zakonshëm, e pastaj i shpërndanë andej nga kishin ardhur.
Dhe në vijim, pritet që Berisha të thërresë përsëri për protesta më 20 shkurt dhe 31 mars, data që lidhen me rrëzimin e shtatores së Enver Hoxhës më 1991 dhe fitoren e parë elektorale të PD-së më 1992 (vetë lidhja me këto data tregon se sa pa lidhje është Berisha 81-vjeçar me votuesit që atëherë ishin çilimij apo që ende s’kishin lindur).
Për koalicionin e udhëhequr nga Berisha (PD-ASHM) votuan në maj rreth 500 mijë zgjedhës brenda vendit, por në protestat e thirrura prej tij nuk mblidhen dot as 5 mijë… Ai duhet t’ua kursejë pelegrinazhet e ardhshme atyre pak mijëve që ende i mblidhen në protesta, sepse “kilometri i fundit” nuk mund të vijë dot nga pak mijë përkrahës që mbledh në bulevard një plak 81-vjeçar që ka dështuar dy herë kur ishte në pushtet.
Sipas studimit të profesores Erica Chenoweth të Universitetit të Harvardit, në bulevard duhet të mblidhen të paktën 82 mijë shqiptarë, e mos ta lëshojnë atë deri sa të bjerë qeveria (https://abcnews.al/kryengritja-e-zgjatur-paqesore-e-berishes-qe-zgjat-me-pak-se-2-ore/ ). Por ky skenar s’ka për të ndodhur ndonjëherë, për sa Berisha i dështuar dy herë në pushtet të synojë ta marrë përsëri pushtetin!


