Këtë të mërkurë bëhen 20 vite nga vdekja e ish-presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani bashkë me familjen e ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova kanë bërë homazhe te varri në Velani për 20-vjetorin e vdekjes së tij.
E para e shtetit tha se Rugova bëri bashkë gjithë popullin e Kosovës rreth kauzës për liri, pavarësi dhe demokraci, kauzë kjo që akoma është gjallë.
“Sot është 20 vjetori i shkuarjes në amshim të atit themeltar të republikës së Kosovës arkitektit të pavarësisë, njeriut që i dha gjithçka Republikës sonë dhe ndërtoi vizionin për të ecur përpara edhe brezat që do të vijnë pas nesh. Presidenti Rugova e bëri bashkë gjithë popullin e Kosovës rreth kauzës për liri, pavarësi dhe demokraci. Kauzë kjo që është akoma e gjallë dhe është jetësuar për shkak të sakrificës së madhe të popullit tonë, luftës sonë çlirimtare dhe ndërtimit të aleancave me aleatët tonë strategjik brenda familjes eueroataltike, aleanca këto që i ndërtoi presidenti Rugova me një vizion të pashoq që është sot mbetet dritë në udhërrëfyesin për gjithsecilin prej nesh që e duam Kosovën akoma më të fortë dhe të integruar në strukturat euroatlantike në familjen ku Kosova dhe populli i saj e ka vendin. Nderimi për presidentin Rugova do të jetë i përjetshëm dhe vizioni i tij do të rrojë për aq kohë sa do të rrënojë dhe Kosova, do të rrojë përjetësisht”, tha Osmani.



