Gjosha: Arroganca e Ramës ndaj Kosovës e papranueshme. Serbia të kërkojë falje për krimet e luftës

schedule12:01 - 23 Dhjetor, 2019

schedule 12:01 - 23 Dhjetor, 2019

Ish-ministrja e Integrimit në kabinetin “Rama 1”, Klajda Gjosha tha se gjuha e Kryeministrit Edi Rama ndaj lidershipit në Kosovë është e turpshme dhe e papranueshme. Ajo foli në studion e Abc News me gazetaren, Juli Xhokaxhi rreth samitit që u mbajt në Tiranë për “Shengenin Ballkanik”. Sipas Gjoshës, ky samit do të jetë dështimi i radhës, sepse nuk është gjithëpërfshirës.

“Besoj se një nismë e tillë e ka burimin nga Procesi i Berlinit, pra është një ide e disa viteve më parë. Ajo që nuk kuptoj është se pse u bë  kaq i nxituar: A është ky një presion që i bëhet BE për shkak të refuzimit të negociatave?”, u shpreh Gjosha.

Më tej argumenton se samiti duhej të bëhej pasi të ishin sheshuar konfliktet dhe se duhej të merrnin pjesë të 6 shtetet e Ballkanit Perendimor.

“Kosova dhe Serbia janë në një status lufte. Është e nevojshme të kërkohet falje për krimet e luftës dhe të nënshkruhet traktati i paqes mes këtyre dy vendeve. Kjo jo vetëm që s’ka ndodhur por para samitit, Vuçiç mohoi masakrën e Reçakut”, tha më tej Klajda Gjosdha në studion e “Abc News”.

Ndërsa e pyetur specifikisht për qendrimin e Ramës në samit dhe deklaratën e tij për Kosovën, Gjosha tha është e turpshme dhe e papranueshme. “E kam parë kryeministrin të flasë me një gjuhë arrogante brenda vendit por të arrinte deri aty sa të shfaqte arrogancë ndaj një shteti të pavarur, si Kosova kjo është e rëndë”. /abcnews.al