Në lidhje direkte për ABC e Mëngjesit, Fehim Mahalla, ish-karaterist elitar dhe sot trajner i kampionëve, ka rrëfyer një histori suksesi që nis nga Ferizaj dhe shtrihet deri në podiumet më prestigjioze të botës. Me 14 tituj kampion shtetëror të Zvicrës dhe 20 vite si përfaqësues i karatesë zvicerane, Mahalla ka shkruar një kapitull të artë në sportin ndërkombëtar.
Ai tregon se ka luftuar për Zvicrën në një kohë kur Kosova ende nuk mund të përfaqësohej si shtet, ndërsa rrënjët i ka të thella në frymën shqiptare dhe në familjen e tij, ku të shtatë vëllezërit janë marrë me karate. Fillimet i pati në klubin “Dardania Lausanne”, një akademi e krijuar nga i ati, Fahri Mahalla, i cili i mësoi disiplinën dhe përkushtimin.
Fehimi është fitues tri herë i turneut prestigjioz botëror Open d’Paris, me një rekord që ende mbetet i pathyer. Pas karrierës si sportist, ai u shndërrua në një trajner të kërkuar në Zvicër, Kosovë dhe Shqipëri. “Shpërblimi më i madh për mua është medalja e nxënësit”, thotë kampioni që sot ndërton kampionë.


