Nëse jeni të pavendosur për mënyrën si shkruhet një fjalë apo iu duhet një sinonim mund të kërkoni në fjalorin e madh të gjuhës shqipe. Për herë të parë ai është publikuar online dhe mund të përdoret pa pagesë nga të gjithë.
“Sinonimet, antonimet, frazologjia që lidhet me atë fjalë janë të gjitha falas në faqen fjalori.online. Nëse do të numërojmë dhe përdorimet e veçanta shkon te 120 mijë fjalë, shprehje frazologjike, fjalë të paasimiluara, fjalë të huaja të përdorura, por nuk kanë arritur të nguliten, ndërsa zëra konkret janë rreth 105 mijë. Kishte ardhur koha që dashamirësit e gjuhës të kishin një mjet të tillë. Një fjalor kaq te madh nuk e kishim deri tani”, tha gjuhëtarja Anila Kananaj.
Pas rreth pesë vitesh punë realizohet projekti më i madh i Akademisë së Shkencave që përfshiu një grup të madh gjuhëtarësh.
“Fjala që ka më shumë përdorim qoftë në aspektin sasior qoftë në shtrirje gjeografike ajo ka gjetur vendin në këtë fjalor”
Sipas gjuhëtares Anila Kananaj në fjalor janë shtuar fjalë të reja ndërsa të vjetrave iu janë pasuruar kuptimet.
“Është filluar nga fjalori i 1980, këtu duhet të jenë rreth 45 mijë fjalë, janë përditësuar kuptimet, nuk është thjeshtë heqje e ideologjisë… Fjalë të reja që shqipja i ka krijuar nga komunikimi me gjuhë të tjera. Zhvillimi i teknologjisë, është vjel dhe pasuria dialektore, është dhe një lloj pasqyrimi i kulturës. Fjalët që kanë zënë vend në gjuhën shqipe, shqipja i ka bluar le te themi, fjala vjen gugëlloj, e përdor brezi i ri … kjo mund të quhet e bluar, përderisa përdoret patjetër që do pasqyrohet. Fjalët që nuk janë stabilizuar mirë i kemi lënë në një listë në fund të fjalorit”, tha gjuhëtarja.
Gjuhëtarët shprehen të hapur për sugjerime. Në faqen e fjalorit online ka një rubrikë të posaçme.
“Secili mund të shënojë”, shtoi ajo.
Gjuhëtarët do të presin mendime për rreth nëntë muaj, më pas do të nisin punën që fjalorin e madh të gjuhës shqipe ta kthejnë në një vepër për ta pasur dhe mbi tavolinë.


