Arsenal nuk ka ndërmend të falë asgjë në këtë sezon të futbollit anglez. “Topçinjtë” janë favoritë në Premier League, ndërsa janë kualifikuar edhe në fazën tjetër të Kupës së Federatës, pas fitores 4-1 në fushën e Portsmouth.
Vendasit kaluan shpejt në epërsi me golin e Bishop në minutën e tretë, por shpejt u shuan edhe shpresat e tyre për një surprizë të madhe.
Arsenal përmbysi shifrat që në pjesën e parë me autogolin e Dozëll dhe golin e Martinelit, ndërsa mund të vrisnin garën që në pjesën e parë, por Madueke gaboi nga pika e penalltisë.
Pas pushimit, Martineli gjeti edhe dy herë të tjera rrugën e rrjetës, për të plotësuar mbrëmjen e madhe personale dhe atë të Arsenal, që konfirmon formën e shkëlqyert që po kalon në këtë sezon të futbollit anglez.
Krejt i ndryshëm është diskutimi për Manchester United, që vijon me zhgënjimet.
“Djajtë e kuq” u eliminuan nga Kupa, pasi u mundën në tempullin e tyre “Old Traford” 2-1 nga Brighton.
Protagonist Brajan Gruda, futbollisti me origjinë shqiptare që shënoi golin e epërsisë për miqtë në pjesën e parë.
Në të dytën, Uellbek ndëshkoi ish skuadrën e tij për të dyfishuar diferencën e miqve.
Sesko vetëm sa zbuti humbjen e Manchester United që vazhdon të humbet një tjetër shans për të shpëtuar sezonin e dështuar deri tani./abcnews.al


