Më në fund Napoli. Nënkampionët e Italisë kishin harruar shijen e fitores në Serie A dhe kishin tetë ndeshje që nuk ia dilnin të siguronin tre pikët. Sot ndodhi përmbysja e madhe kundër Sassuolos jashtë fushe dhe Gattuso arriti fitoren e parë në pankinë me Napolin.
19-vjeçari Traore kaloi vendasit në avantazh pas gjysmë ore lojë, ndërsa pushimi i bëri mirë miqve, sigurisht edhe ndonjë ulërimë e trajnerit. Braziliani Allan gjeti golin e barazimit në minutën e 57-të (i pari në kampionat për këtë sezon), teksa minutat e fundit ishin emocionuese.
Goli i Mertens u anulua për pozicion të parregullt, ndërsa talenti Elmas shënoi golin e fitores në frymën e fundit. Çlirim në stol për Gattuson, njësoj edhe për Hysajn me shokë (shkodrani u fut në pjesën e dytë në lojë) që shkelmuan tersin e keq. /abcnews.al
Sassuolo-Napoli 1-2
(Traore 29′ / Allan 57′, Elmas 90+4′)