Nga oda në odë, nga brezi në brez, një traditë mijëravjeçare shqiptare po ringjallet fuqishëm. Në lidhje direkte për ABC e Mëngjesit, avokati dhe organizatori Shasivar Haxhiaj rrëfen historinë dhe përgatitjet e “Kampionatit të Kapuçave”, një nga garat më të lashta shqiptare që sot mbledh 400 burra dhe ngre një fshat të tërë “në këmbë”.
Kjo lojë tradicionale, që buron nga Rrafshi i Dukagjinit, Peja, Rugova e Deçani, e deri në malësitë e Shqipërisë, vjen këtë vit në edicioni e saj të VI-të. Kampionati zhvillohet në muajin shkurt, por përgatitjet nuk ndalen asnjëherë.
“Çdo natë ushtrohemi në oda të mëdha, mblidhemi rreth 100 burra dhe luajmë për ditën e kampionatit”, tregon Haxhiaj.
Gara zgjat plot 15 orë, nga ora 10:00 e mëngjesit deri në 01:00 pas mesnate, dhe në të marrin pjesë 46 ekipe nga Kosova dhe Shqipëria. Qëllimi kryesor? Rikthimi i lojës që po humbte me zhvillimin e teknologjisë.
“Na gëzon fakti që ka shumë të rinj që marrin pjesë dhe po e ringjallin traditën”, thekson organizatori.
Por Kampionati i Kapuçave nuk është thjesht një garë. Është festë, kulturë dhe identitet shqiptar. Ndërsa burrat luajnë, gratë angazhohen në pjesë të tjera të organizimit: gatuhen ushqime tradicionale, shtrohen sofra me kos të kulluar, pite, flija dhe çdo lloj gatimi tradicional shqiptar.
Plisi i bardhë nuk mungon, simbol i kampionatit, dhe të gjithë burrat vishen me veshje tradicionale shqiptare. Këndohen këngë folklorike, luhen instrumente të lashta muzikore dhe kërcehen vallet shqiptare.


