Dogana dhe Mbrojtja Kufitare e Shteteve të Bashkuara (CBP) njoftoi të enjten se ka lëshuar një urdhër për ndalimin e importit të gomave të automjeteve të prodhuara në fabrikën kineze Linglong në Serbi, për shkak të pretendimeve se ato janë prodhuar përmes punës me detyrim.
“Zyrtarët e CBP-së do t’i ndalojnë në të gjitha pikat hyrëse në SHBA dërgesat e këtyre gomave, për shkak të provave që tregojnë përdorimin e punës me detyrim në prodhimin e tyre”, thuhet në njoftim.
Në njoftim u tha se urdhri lidhet me gomat e prodhuara në fabrikën e Linglong-ut në veri të Serbisë, dhe është rezultat i një hetimi dhe analize të informacionit që tregon se gomat e automjeteve janë prodhuar duke përdorur punë me detyrim – përfshirë deklarata të punëtorëve, fotografi, kontrata pune, shënime nga terreni të fokus-grupeve, pamje të mesazheve tekstuale, raporte të organizatave joqeveritare, raportime mediatike dhe hulumtime akademike.
Sipas Doganës amerikane, këto prova kanë treguar se punëtorët në Linglong janë ekspozuar ndaj nëntë treguesve të punës me detyrim sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës: mbajtja e dokumenteve personale, frikësimi dhe kërcënimet, izolimi, orët e tepërta të punës, mohimi i pagave, skllavëria përmes borxhit, kushte abuzive të jetesës dhe punës, mashtrimi dhe abuzim të cenueshmërisë.
“Mesazhi është i qartë, Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë punën me detyrim në zinxhirët e furnizimit”, tha komisionari i Doganës amerikane, Rodney S. Scott.

