Krenar Kasumi, ish-futbollist dhe trajner crossfit, i ka dalë mbanë një prej sfidave më ekstreme njerëzore: thyerja e rekordit 24-orësh të Guinness në përdorimin e makinerisë së lundrimit. Një mision që kërkoi gjashtë muaj përgatitje, sakrifica të jashtëzakonshme dhe një vullnet që nuk njeh kufij.
Rekordi i David Harris, i vendosur në nëntor të vitit 2001, më në fund u thye. Për 24 orë rresht, pa gjumë, pa pushim, vetëm duke kryer ushtrimin, Kasumi udhëtoi drejt fitores me një forcë që sfidoi dhimbjen dhe fiziologjinë njerëzore.
“Kam pasur dhimbje të mëdha, sidomos pas garës,” rrëfen ai në lidhje direkte për “ABC e Mëngjesit”. “Këto 24 orë ishin krejt ndryshe nga çfarë kisha imagjinuar. Nuk më interesonin metrat, por sfida vetë.”
Që nga ora e tretë, trupi i tij nisi t’i dërgonte sinjale alarmi. Kur pa se i kishin mbetur edhe 21 orë, dhimbja u bë realitet brutal. Në orën 4 të mëngjesit, krizat u shfaqën njëra pas tjetrës, trupi nuk arrinte të përthithte karbohidratet e marra, energjia shteronte, muskujt dridheshin.
“Ka pasur momente që thashë ‘boll’, por mendoja gjithmonë vajzën time,” thotë Kasumi me emocione. Mbi kokë kishte bashkëshorten, të cilën e quan “forcë të palëkundur”, ndërsa ekipi që e shoqëronte kërkonte ta ndihmonte, por ai u lutej: “Ikni flini gjumë, duhet të jeni të freskët.”
Nëse doktori do ta kishte parë në ato orë të vështira, Kasumi është i bindur se gara do t’i ishte ndërprerë. “Nuk isha mirë. Në orët e para të mëngjesit ndjeva sikur trupi po më tradhtonte.”
E gjithë kjo u bë nën një sfond të jashtëzakonshëm: vajza e tij e porsalindur, muza e këtij babai të pakshoq, i cili historinë e sfidës së tij do ta përjjetësojë dhe në një film me titull “Bora që nuk ndalej kurrë”.
Dokumentari do jetë një dhuratë e përjetshme për vajzën e tij. “Kurrë në jetë nuk e bëj më këtë sfidë. E kam bërë që vajza ime, kur të rritet, ta shohë dhe të kuptojë çfarë mund të arrijë njeriu kur nuk dorëzohet.” / abcnews.al /

