Një vezë kristali e zbukuruar me diamante e argjendarisë ruse Fabergé, (Faberzhe) është shitur për një çmim rekord në një ankand në Londër.
Sendi i çmuar që dikur i përkiste familjes perandorake të Rusisë u ble për një 30.2 milionë dollarë, nga dikush që preferoi të mbetej anonim.
“Veza e Dimrit” e konsideruar si një nga krijimet më të bukura të argjendarit legjendar Faberge ishte e dekoruar me 4500 diamante dhe ishte porositur nga Cari Nikolla II në vitin 1913 si dhuratë për nënën e tij.
Rekordi i mëparshëm për një vezë Fabergé ishte më shumë se 11 milionë dollarë të paguara në një ankand në vitin 2007.
Veza me lartësi 8.2 cm u krijua nga Carl Fabergé, bazuar në dizajnin e Alma Theresia Pihl, një nga vetëm dy mjeshtret femra në kompaninë e bizhuterive në Shën Petersburg.
Ajo ishte gdhendur nga kristali shkëmbor dhe e dekoruar me diamante të prera në formë trëndafili, si dhe motive flokësh dëbore platini.
Veza hapet për të zbuluar një shportë të vogël me lule kuarci të bardha brenda. Argjendaria prodhoi vetëm 50 vezë të tillë për familjen perandorake Romanov të Rusisë.
“Veza e Dimrit” është ndër të paktat që mbetet në duar private, ndërsa të tjera mungojnë ose janë nëpër muze.
Vezët u prodhuan nga viti 1885 deri në vitin 1917, kur Cari Nikolla II u detyrua të abdikonte./abcnews.al

