Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Botimet më të reja të “Pegi”-t në Panairin e 28-të të Librit

schedule14:58 - 13 Nëntor, 2025

schedule 14:58 - 13 Nëntor, 2025

Shtëpia botuese “Pegi” merr pjesë në Panairin e 28-të të Librit, duke sjellë për lexuesit një përzgjedhje të pasur me tituj të rinj, autorë ndërkombëtarë dhe shqiptarë, romane që prekin zemrën dhe mendjen, histori dashurie, introspeksioni e guximi për të jetuar ndryshe.
Dashuria e një tjetër jete
Romani i autores C. J. Connolly, përkthyer nga Erjona Jatagani, është një komedi romantike magjike dhe prekëse për dashurinë, fatin dhe guximin për të gjetur vetveten.
Në ditëlindjen e saj të 36-të, Xhozi, një britanike beqare që jeton në Bruklin, mendon se më në fund jeta po i ecën në drejtimin e duhur. Por një aksident e zhyt në errësirë dhe, kur zgjohet, gjendet në një realitet krejt tjetër, me një jetë të përsosur që, megjithatë, nuk është e saja.
Romani i Connolly-t flet për zgjedhjet që bëjmë mes ëndrrave dhe realitetit, mes asaj që kemi dashur dhe asaj që ndoshta nuk është kurrë e jona.
Bionde – Joyce Carol Oates
Autorja e njohur Joyce Carol Oates sjell një vepër madhështore që rindërton jetën e një prej ikonave më të mëdha të shekullit XX – Marilyn Monroe.
Në këtë roman epik dhe të dhimbshëm, Oates e kthen mitin në një histori thellësisht njerëzore. “Bionde” ndjek rrugëtimin e Norma Jeane Baker – vajzës së ndjeshme dhe të vetmuar që kërkonte dashuri, vëmendje dhe siguri – drejt shndërrimit të saj në Marilyn Monroe, ëndrra e çdo burri, por realiteti i askujt.
Me një gjuhë poetike dhe të ndjerë, Oates eksploron çmimin e famës, dhunën e pasionit dhe boshllëkun që fshihet pas buzëqeshjes që pushtoi botën.
I dashur, ti je trap! – Neda Balluku
Autorja shqiptare Neda Balluku vjen me një roman të guximshëm dhe të sinqertë, që zhvesh dashurinë nga çdo iluzion romantik.
Në këtë rrëfim intensiv, personazhet Alisia dhe Oresti janë pasqyra të historive që mund të ndodhin kudo. Nuk ka heronj, as të pafajshëm, ka njerëz që kërkojnë vetveten te tjetri, që dashurojnë për të harruar.
Një histori për pasionin, frikën, dëshirën dhe luftën e heshtur midis zotërimit dhe humbjes së vetvetes.
Skenar brilant – Dolly Alderton
Shkrimtarja dhe gazetarja britanike Dolly Alderton sjell një roman prekës e plot humor për dashurinë, ndarjen dhe rifillimet.
Endi, një komedian në të tridhjetat e vona, mendonte se ai dhe Xheni do të ishin bashkë përgjithmonë. Por kur ajo largohet, bota i shembet.
Ky roman zbulon se “skenari brilant” i jetës nuk qëndron te përsosmëria, por te brishtësia njerëzore dhe bukuria e fillimeve të reja – një histori për ata që kërkojnë kuptimin pas frazës “jetuan të lumtur përgjithmonë”.
Plaku dhe deti – Ernest Hemingway
Një ndër veprat më të mëdha të letërsisë moderne, ky roman i përjetshëm i Ernest Hemingway mbetet një simbol i luftës së njeriut me fatin, natyrën dhe vetveten.
Santiago, peshkatari i moshuar kuban, del në det për të kapur “peshkun e madh” që do të vërtetojë vlerën e tij. Lufta e tij e heshtur me marlinin gjigant është metaforë e durimit, krenarisë dhe qëndresës njerëzore.
Fitues i Çmimit Pulitzer (1953) dhe një nga veprat që i dhanë Hemingway-t Çmimin Nobel për Letërsi (1954), “Plaku dhe deti” mbetet një lexim që frymëzon dhe prek çdo brez.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!