Në studion e “ABC e Mëngjesit” ishte i ftuar një emër që po bëhet gjithnjë e më i njohur në botën e motoçiklizmit ndërkombëtar Alessandro Di Mario, piloti 16-vjeçar shqiptaro-italian, dy herë kampion i MotoAmerica Twins Cup dhe një nga talentet më premtuese të garave në SHBA.
“Isha vetëm 10 vjeç kur familja ime kaloi Atlantikun, për një jetë më të mirë në Amerikë,” tregon Alessandro. “Babait iu ofrua një punë e re dhe u vendosëm në Lexington, Kentucky.”
Por pasioni për motorët kishte nisur shumë më herët. Që në moshën 4-vjeçare, ai garonte në kampionatin italian CIV Minimoto, ku, siç kujton me buzëqeshje, “prindërit më kishin mundësuar një motor xhepi dhe që në fillim tregova përqendrim dhe talent të jashtëzakonshëm.”
Në vitin 2022, karriera e Alessandro-s mori hov. Ai fitoi çmimin prestigjioz “Nicky Hayden AMA Road Race Horizon Award”, një vlerësim që u jepet pilotëve me potencial të madh. Po atë vit, ai triumfoi edhe në North America Talent Cup, duke garuar me një Aprilia RS250 SP2.
Në vitin 2023, Alessandro bëri debutimin në MotoAmerica Junior Cup, ku shfaqi menjëherë talentin e tij, duke mbyllur sezonin me 7 fitore në 12 gara dhe disa vende të dyta.
Kjo performancë i hapi rrugën për t’u ngjitur në një kategori më të lartë – Twins Cup – ku garon me Aprilia RS 660 për ekipin Rodio Racing.
“Fitorja ime e parë erdhi në Barber Motorsports Park, që është edhe pista ime e preferuar,” kujton ai. “Më pas mora katër vende të dyta radhazi dhe ndërtova një vazhdimësi të fortë.”
Në garën e fundit të sezonit 2024 në Austin, Texas, Di Mario ishte 19 pikë para rivalit të tij, Rocco Landers. Por me dy fitore të njëpasnjëshme, ndërsa Landers u rrëzua dy herë dhe nuk mori pikë, Alessandro u shpall kampion i MotoAmerica Twins Cup në moshën vetëm 15-vjeçare.
Një vit më pas, në 2025, ai e mbrojti sërish titullin, duke hyrë në histori si piloti më i ri që ka fituar dy herë radhazi këtë kampionat.
16-vjeçari shqiptaro-italian që po pushton pistat amerikane
schedule14:32 - 11 Nëntor, 2025
schedule 14:32 - 11 Nëntor, 2025
