Fillimi ishte një katastrofë. Serbia pësoi gol që në fillim në duelin në Andorrë në eliminatoret e Kupës së Botës, dhe u mendua se po përsëritej Shqipëria.
Një gabim në mbrojtje dhe një gol nga mesi i fushës ishin mirëseardhja për të besuarit e trajnerit Zoran Mirkoviç.
Gjithsesi, diferenca në klas ishte e madhe, dhe vendosi në fund. Kjo, edhe pse Serbisë iu desh një autogol krejt i papritur për të barazuar.
Më pas menduan sulmuesi i Juventusit, Vlahoviç, dhe kapiteni Mitroviç, për të vulosur shifrat 3-1, në një sukses tepër të rëndësishëm për moralin dhe për pretendimet për të shkuar në plej of.
Gjithsesi, loja nuk ishte aspak e mirë, dhe serbët pohuan pas ndeshjes se ende ishin nën efektet e humbjes së rëndë me Shqipërinë.
Po ashtu, u desh edhe ndihmë nga gjyqtari dhe VAR-i, pasi Vlahoviç shënoi pasi shtyu mbrojtësin, ndërsa Mitroviç fitoi penallti, ndërsa më parë kishte shkaktuar ndërhyrje të gabuar në zonë.
Pavarësisht gjithçkaje, Serbia nisi epokën pas Dragan Stojkoviçit të dorëhequr, dhe u ngjit në kuotën e 10 pikëve në grupin eliminator të Kupës së Botës, vetëm një pikë prapa Shqipërisë që mban vendin e dytë.
Në radhë janë tani ndeshjet e nëntorit, pasi kuqezinjtë do të luajnë në Andorrë dhe ndaj Anglisë në Tiranë, ndërsa serbët do të shkojnë në “Uembli” kundër anglezëve dhe do të presin Letoninë.

