SHQIPËRI- Edhe pse nuk ka pasur asnjë histori në familje me kancer të gjirit, e cila sipas mjekëve shërben si faktor kyç në riskun e diagnostikimit me këtë sëmundje, 59-vjeçarja Frida Çuçi kryen rregullisht kontrolle, duke mos pritur vetëm tetorin rozë.
“Unë jam gjithmonë ndjekëse e këtyre gjërave, dhe për shkak të moshës. Kontrollin e bëj çdo vit, siç më rekomandon mjeku i familjes, për ti bërë një parandalim. Unë e bëra muajin që kaloj, gjithmonë bëj kontrolle, bëj dhe check up. Jam e rregullt, dhe shpresoj edhe të tjerat, që të shpëtoj jetën.
Çdo ditë 50 gra dhe vajza kanë kryer mamografinë në javën e parë të tetorit, në Poliklinikën e specialiteteve nr.3 në kryeqytet. Gjatë muajit të sensibilizimit të luftës ndaj kancerit të gjirit, ndërgjegjësimi shtohet dhe fluksi shtohet thonë mjekët imazheristë, bashkë me apelin që ndërgjegjësimi duhet të jetë të 365 ditët e vitit.
“Muaj tetor është ndërgjegjësim, dhe në raport me muajt e tjerë është krejt ndryshe. Numri më i larë, ka më shumë fluks, dhe interesi është në rritje. Në ditët e para nuk kemi parë aq shumë, po vjen numri në rritje. Sot për shembull kishim rreth 50-60 raste”, tha ai.
Për kapjen e sëmundjes në fazat e hareshme, ekzaminimi është i thjeshtë, mjafton një eko gjiri apo mamografi, të cilat nuk kërkojnë as rekomandim nga mjeku i familjes.
Kanceri i gjirit konsiderohet si sëmundja e heshtur, pasi në shumicën e rasteve ajo nuk sinjalizon. Dhe, sipas mjeku imazherist Lirjan Kusha, ka plot raste kur gratë vijnë për kontrolle pa pasur asnjë ankesë, por, pas ekzaminimeve aparaturat kanë fiksuar imazhe, të cilat janë parë si problematike për ta.
“Nuk ka nevojë për rekomandim, mjafton të vijë. Ka raste plotë kur s’ka pas asnjë shenjë, dhe ka dal me probleme dhe e kemi nis për mamografi dhe pastaj për kontrolle në QSUT. Do rekomandoja kontrolle për gjithë vitin”.
Në të gjithë vendin, sipas Institutit të Shëndetit Publik, deri më tani janë kryer 779 mamografi falas të shpërndara në 16 poliklinika e spitale, dhe dy njësi lëvizëse.
Shpesh herë mjekët apelojnë për ndërgjegjësim të grave dhe vajzave për depistim të hershëm, pasi shpëton jetë, thirrjes së tyre, u bashkohet dhe Frida me mesazhin se përkujdesja ndaj shëndetit sot, kthehet në cilësi jetese nesër.
“Thjesht për përkujdesje ndaj vetes, dhe të jetojmë me cilësi. Kujdesi ndaj vetes parandalon dhe shpëton jetën”/abcnews.al

