Një qytetar beogradas komentoi tepër saktë pas kësaj ngjarjeje.
Beogradi, dikur simbol I sportit dhe I kulturës së Jugosllavisë së mëparshme, sot është kthyer në një arenë dhune mes ultrasve të futbollit, për të mos folur për kacafytjet politike.
Pas incidenteve në ndeshjen e Superligës së Serbisë mes Partizanit e Vojvodinës të shtunën e kaluar, që sollën ndërprejen e lojës disa herë, vjen lajmi për një tjetër episod famëkeq.
Dy grupe ultrasish të klubeve rivalë të Beogradit u përleshën fare pranë stadiumit të Partizanit.
Sipas njoftimeve të mediave serbe, ishin tifozët e Crvena Zvezdës që sulmuan ata të Partizanit, ndërsa si pasojë e hedhjes së flakadanëve dhe sendeve të tjera piroteknike, pati të lënduar.
Sidomos njëri nga tifozët e rinj pati djegie në të gjithë trupin.
Duket se Serbia ka hyrë në një spirale dhune mes përkrahësve të dy skuadrave kryesore në vend.
Pak ditë më parë, klubi I Partizanit u trondit pasi disa tifozë hynë në stadium dhe dëmtuan rëndë fushën në prag të derbit.
Të gjitha këto ndodhin fare pak ditë përpara sfidës që Shqipëria do të luajë në Leskovac për eliminatoret e Kupës së Botës, dhe që cilësohet si ndeshje e nivelit tepër të lartë të rrezikut.

