Policia e Vlorës ka njoftuar ditën e sotme se ka sekuestruar një sipërfaqë prej 23 mijë m2 tokë në Radhimë e cila kapte shifrën e 2.3 milion eurove.
Sekuestrimi i kësa pasurie ka ardhur pasi sipas hetimeve dyshohet se ka ardhur nga vepra penale të pastrimit të parave dhe falsifikimit të dokumentave.
“Vijon puna për gjurmimin, evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të përfituara nga veprimtaria kriminale.
Vendoset sekuestro preventive për një sipërfaqe toke të mbjellë me pemë, që kap vlerën 2. 3 milionë euro.
Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, në vijim të goditjeve dhe sekuestrimeve të njëpasnjëshme të kryera ndaj krimit të organizuar dhe pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, ka bërë ekzekutimin e një tjetër vendimi të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për vendosjen e masës së sigurisë pasurore “Sekuestro preventive”.
Kjo sekuestro është bërë mbi sipërfaqen 23 000 m2, e mbjellë me pemë në zonën e Radhimës, vlera financiare e së cilës kap shifrën rreth 2.3 milionë euro.
Ky sekuestrim pasuror u bë në kuadër të hetimit ndaj shtetasit A. L., si person i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Nga hetimet e kryera në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë, ka rezultuar se ky shtetas dyshohet ta ketë përfituar këtë sipërfaqe pemëtore me anë të falsifikimit të dokumenteve.
Veprimet e mëtejshme ndiqen nga ana e Prokurorisë“./abcnews.al