Kryeministri britanik Sir Keir Starme do të shpallë pasditen e kësaj të diele vendimin e Londrës Zyrtare për njohjen e një shteti Palestinez.
Starmer kishte paralajmëruar që prej muajit Korrik se Mbretëria e Bashkuar do të ndryshonte qëndrim nëse Izraeli nuk përmbush disa kushte, përfshirë një armëpushim në Rripin e Gazës dhe një proces të mirëfillt paqeje i cili si hap final kishte zgjidhjen e konfliktit me dy shtete. Qeveria izraelite ka refuzuar këtë perspektivë që prej fillimit të luftës pas sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor 2023, ku mbetën të vrarë 1,200 persona dhe 251 u morën peng.
Vendimi I Britanisë së Madhe për të njohur një Shtet Palestinez vetëm disa orë pasi edhe Portugalia njoftoi diçka të tillë ka shkaktuar reagime të ashpra në Izrael duke përfshirë familjarët e pengjeve por gjithashtu edhe tek disa deputetë
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se njohja e shtetit palestinez përbën “shpërblim për terrorizmin”.
Qeveria britanike e justifikon hapin si një përgjegjësi morale për të mbajtur gjallë shpresat e një zgjidhjeje afatgjatë. Megjithatë, përpjekjet për një armëpushim kanë dështuar, ndërsa situata në terren është përkeqësuar ndjeshëm. Operacioni i fundit tokësor i Izraelit në qytetin e Gazës, të cilin një zyrtar i OKB-së e përshkroi si “katastrofik”, ka detyruar qindra mijëra civilë të largohen.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamas, deri tani janë vrarë mbi 65,200 palestinezë. Një komision hetimor i Kombeve të Bashkuara doli këtë javë në përfundimin se Izraeli ka kryer gjenocid ndaj palestinezëve në Gaza, akuzë të cilën Tel Avivi e cilësoi “të shtrembëruar dhe të rreme”.
Aktualisht, rreth 75% e vendeve anëtare të OKB-së e njohin Palestinën si shtet, por kjo mbetet një njohje kryesisht simbolike, pasi territori nuk ka kufij të përcaktuar, ushtri apo kontroll të plotë mbi tokën e tij. Të njëjtin hap si Londra Zyrtare pritet ta ndjekin këtë javë edhe dhjetëra Shtetet të tjera Perëndimore duke përfshirë Francën, Kanadanë dhe vende të tjera që pritet të shpallin vendimin për njohjen e një shteti Palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara./abcnews.al

