Inter ishte pranë kualifikimit në 16 skuadrat më të mirë në Champions League, por nuk përfitoi nga një Barcelonë e përgjysmuar dhe pa objektiva duke e humbur ndeshjen decizive. Vendi i tretë i dërgoi zikaltrit në Europa League dhe kundërshtari i radhës është Ludugorets. Zëvendës presidenti i klubit italian, Javier Zanetti analizon përballjen me ekipin bullgar dhe konfirmon objektivin e Interit për t’i shkuar deri në fund këtij kompeticioni.
“Në kompeticonet europiane nuk ka ndeshje të lehta dhe duhet të përgatisim sa më mirë çdo ndeshje. Vetëm kështu do të evitojmë surprizat e hidhura. Duam të jemi protagonistë, na vjen keq për eliminimin nga Champions, por fusha tregoi se nuk ishim gati. Tani le të përqendrohemi te ky kompeticion që është po kaq i rëndësishëm.
Fitimi i Europa League është objektivi ynë. Historia jonë flet vetë, kemi qenë gjithmonë protagonistë në Champions dhe Europa League. Duhet të besojmë të triumfi dhe të punojmë shumë për ta arritur këtë objektiv.
Conte? Po e shoh nga afër kulturën e tij te punës dhe pasionin që arrin të transmetojë në ekip. Kjo është shumë e rëndësishme për një klub që lufton për objektiva të mëdha. Antonio është shumë i përgatitur, inteligjent dhe ka një personalitet të fortë. Interi është në rrugën e duhur me Conten në pankinë“, përfundon legjenda e klubit zikaltër. /abcnews.al