Çeremi i Tropojës është një nga fshatrat më të thellë malorë që shtrihet rrëzë alpeve në kufi me Malin e Zi.
Bashkë me bjeshkët e Doberdolit, është ndër zonat më tërheqëse e të vizitueshme nga turistët vendas e të huaj.
Së fundmi po bëhet me rrugë automobilistike, një investim i fondit shqiptar të zhvillimit. Kjo vepër infrastrukturore pritet t’I jape hov ekonomisë lokale dhe jo vetëm…
Investimi për rrugën ka nisur prej kohësh ndërsa banorët e zonës e mirëpresin këtë investim.
Kadri Ismailisufaj rreth të 80-ve është një nga banorët e Çeremit. Jeton në qytetin e Bajram Currit, por është rritur në këto bjeshkë. Nuk I ndahet edhe sot, ndaj çdo verë e kalon në bjeshkë. Thotë se rruga do sjellë zhvillimin e zonës.
Në fund të shtatorit, zbret sërish në qytet, por thotë se mirë ndihet vetëm në bjeshkë.
Kujton kohën e dikurshme dhe mënyrën se si ishte jetesa në këtë zonë të izoluar që në kohën e komunizmit.
Transporti bëhej me kafshe sepse nuk kishte as rrugë e as mjete. I duhej të udhëtonte deri në 7 orë me kalë për të zbritur në qytet. Edhe pse kjo zonë po zhvillohet, emigracioni ka bërë të vetën.
Nuk e mendonte asnjëherë se ky fshat do të kthehej në një vend të frekuentuar nga qindra turistë të huaj.
Ebina, një vajzë e re ka ardhur nga New York dhe ndodhet në Çerem ku thotë se është mrekulluar nga natyra e bukur e këtij fshati.
“Unë quhem Ebina. Jetoj në New York, por prindërit e mi janë nga Plava, nga Mali I Zi. Jam me dajën tim këtu erdhëm për të eksploruar sot. Daja im jeton në plavë gjithashtu dhe donte të më tregonte natyrën e bukur këtu. Është hera ime e parë në këtë zonë të Shqipërisë. Është kaq bukur. Më ka pëlqyer shumë këtu, do shohim edhe një liqen.”
Për sipërmarrësin Kel Selimaj, fshati Çerem është një potencial i jashtëzakonshëm turistik, vlerat e të cilit duhen promovuar./abcnews.al

