Kryeministri Edi Rama ka emëruar si ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Elisa Spiropalin.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme jeton në një zonë orare tjetër. Një zonë orare e ndryshme nga ora e Shqipërisë. Shërbimi i jashtëm është një trup i cili në tërësinë e vet ec me xhiro të ngadalësuara dhe nuk jep dot atë që pritet prej tij. Prej vitesh rezultatet janë modeste, nuk ndryshojnë dhe janë shkurajuese. Duhet që ta çojmë në maksimum diplomacinë shqiptare. Në krye do të jetë një person me një veçori të spikatur për të mos iu mbyllur goja, Elisa Spiropali”, tha kreu i qeverisë.
Elisa Spiropali që nga korriku 2024 ka mbajtur postin e Kryetares së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë gjatë Legjislaturës X. Prej janarit 2019 deri në korrik 2024, ka shërbyer si Ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, duke u riemëruar në mandatin e tretë qeverisës të Partisë Socialiste, në shtator 2021.
Para emërimit në detyrë si Ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin, Spiropali ka mbajtur funksionin e nënkryetares së Grupit Parlamentar Socialist dhe të nënkryetares së Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, prej vitit 2017 deri në vitin 2019./abcnews.al


