Ndërsa mbërriti në Pensilvani pas pushimeve të fundjavës, Donald Trump foli me gazetarët rreth krizës ushqimore në Gaza.
I pyetur nëse kishte të reja për Gazën, presidenti amerikan tha se kërkon që njerëzit atje të ushqehen dhe se SHBA po jep para për këtë, shkruan Sky News.
“Vetëm ne duam që njerëzit të ushqehen. Dhe ne jemi i vetmi vend që po e bën vërtet këtë. Po japim para për të ushqyer njerëzit.”, theksoi kreu i Shtëpisë së Bardhë.
I pyetur në lidhje me akuzën për gjenocid, Trump tha: “Nuk mendoj se është kështu. Ata janë në luftë.”
Javën e kaluar, i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, vizitoi një vend shpërndarjeje ushqimesh në Gaza, të operuar nga një kontraktor amerikan i mbështetur nga Izraeli.
Witkoff dhe ambasadori i SHBA-së në Izrael, Mike Huckabee, vizituan një vend shpërndarjeje të Fondacionit Humanitar të Gazës në Rafah, qytetin më jugor të Gazës, i cili është shkatërruar pothuajse plotësisht dhe tani është një zonë ushtarake izraelite kryesisht e shpopulluar.
I dërguari u shpreh se kishte kaluar më shumë se pesë orë brenda Gazës për të fituar “një kuptim të qartë të situatës humanitare dhe për të ndihmuar në hartimin e një plani për të ofruar ndihmë ushqimore dhe mjekësore për popullin e Gazës”.

