Një derbi me tribuna bosh.
Ky do të ishte ndoshta skenari më i mirë për dy federatat dhe për organizatorët në përgjithësi, e ndoshta kështu mund të ndodhë në ndeshjen e 11 tetorit në Beograd mes Serbisë e Shqipërisë.
Federata Serbe e Futbollit paralajmëroi tifozët e saj se rreziku është I madh për ndëshkim të skajshëm nga FIFA, pas dënimit të dhënë për sjelljen e një pjese të publikut në duelin kundër Andorrës në Leskovac.
Federata Serbe u ndëshkua nga FIFA me gjobë financiare dhe mbyllje të pjesshme të tribunave të stadiumit për ndeshjen e radhës.
Dënimi është 50 000 franga zvicerane dhe mbyllje e 15 për qind të stadiumit për sfidën kundër Anglisë, që do të luhet në Beograd në 9 shtator, që do të thotë se kombëtares serbe do t’i mungojnë 8 100 tifozë në këtë përballje.
Dënimi nga ana e FIFA-s për Serbinë erdhi pas sjelljes së gabuar të tifozëve në duelin ndaj Andorrës të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror, në 10 qershor, saktësisht për sjellje raciste.
Federata Serbe paralajmëroi tifozët që të sillen mirë ndaj Anglisë, ndryshe mund të ndodhë që sfida kundër Shqipërisë në Beograd në 11 tetor mund të luhet edhe pa tifozë fare.
Gjithsesi, përvoja është që ultrasit nuk janë bindur nga këshilla apo paralajmërime të tilla, dhe kjo ka sjellë dënime nga FIFA apo UEFA.
Derbi I Ballkanit është planifikuar të luhet në stadiumin më të madh në vend, në “Rajko Mitiç” të Crvena Zvezdës me kapacitet mbi 50 000 spektatorë.
Më parë, edhe Shqipëria u dënua me 161 500 franga zvicerane gjobë dhe me mbyllje të 20 për qind të kapacitetit të stadiumit për ndeshjen ndaj Letonisë.
/abcnews.al

