Feronikeli ka zyrtarizuar një tjetër lëvizje në merkato. Kampionët në fuqi të Kosovës kanë afruar një lojtar me mjaft eksperiencë, Ilir Berishën. Qendërmbrojtësi, i cili më parë ka luajtur në Superiore me Flamurtarin, së fundmi është aktivizuar me Vasteras në Suedi, duke u ngjitur nga liga e tretë në të dytën.
Futbollisti 28-vjeçar është grumbulluar në të shkuarën edhe me Shqipërinë, në një ndeshje zyrtare kundër Norvegjisë. Ish-trajneri Gianni De Biasi e afroi në ekip, por nuk e aktivizoi për asnjë minutë në sfidën kualifikuese të Botërorit 2014, që u zhvillua në Brazil.

NJOFTIMI – “FC Feronikeli konfirmon që ka arritur marrëveshje me futbollistin, Ilir Berisha. Berisha do të mbrojë ngjyrat e klubit nga Drenasi nga afati kalimtar i janarit, gjë për të cilën sot ka vënë firmën në kontratën me klubin.
Ilir Berisha rikthehet në futbollin kosovar, pas përvojës së marrë në arenën ndërkombëtare. Ai luan në pozitën e qendërmbrojtësit, njihet si futbollist me karakter luftarak dhe i fuqishëm, duke i dhënë kështu edhe më shumë stabilitet mbrojtjes së FC Feronikelit.
Ai ka qenë pjesë e Orebro, Gefle, Flamurtarit të Vlorës, e së fundmi te Vasteras. Ilir Berisha, luan mirë në ajër, ai është i njohur edhe për nofkën e tij “Air Berisha”. Kujtojmë që Berisha më parë ishte grumbulluar nga Kombëtarja e Shqipërisë, ndërsa ka edhe disa ndeshje me Kosovën. 28-vjeçari ishte ndër lojtarët kyç të Kosovës para pranimit në UEFA e FIFA”. /abcnews.al

