Është mirë kur e kupton se të duan.
Kristian Asllani padyshim ndihet më I sigurt dhe me më shumë besim në vetvete, ndërsa lajmet janë që dikush e kërkon me ngulm dhe e quan mjaft të vlefshëm.
Ky dikush që do mesfushorin e kombëtares shqiptare është trajneri I ri I Fiorentinës, Stefano Pioli, ndërsa ish-tekniku i Milanit ka nxitur klubin që të bisedojë seriozisht me Interin.
Lajmet nga Italia janë që klubi fiorentin ka bërë sondazhet e para në Milano, dhe është arritur një lloj kuptimi i dyanshëm.
“Vjollcët” duan që ta marrin fillimisht Asllanin në huazim për një sezon, dhe pastaj të bisedohet për blerje të kartonit.
Nga Interi nuk ka kundërshtim për këtë skenar, pra ylli I Shqipërisë mund të luajë I huazuar në 2025-2026, veçse lombardët kanë një kusht.
Verën që vjen, blerja e kartonit të 23-vjeçarit duhet të jetë e detyrueshme, jo fakultative.
Sipas asaj që informojnë mediat në Apenine, Interi e vlerëson kartonin e Asllanit në 18 milionë euro, e padyshim që kjo është një shifër fillestare në këto bisedime.
Nuk dihet sesi do të përfundojë kjo sagë, por duket se Fiorentina e ka seriozisht dhe e konsideron të rëndësishëm shqiptarin në pretendimet e saj për t’u kualifikuar në Champions sezonin e ardhshëm./abcnews.al

