Mijëra afganë janë zhvendosur në Mbretërinë e Bashkuar përmes një skeme të fshehtë strehimi, e krijuar pas një rrjedhjeje të madhe të të dhënave të ndjeshme, e cila ndodhi kur një zyrtar britanik, pa dashje, shpërndau informacionet personale të aplikantëve afganë.
Në shkurt të vitit 2022, të dhënat personale të rreth 19,000 afganëve që kishin aplikuar për t’u zhvendosur në MB pas marrjes së pushtetit nga talibanët, u shpërndanë gabimisht. Qeveria e mëparshme britanike u informua për incidentin në gusht të vitit 2023, pasi disa prej këtyre të dhënave u shfaqën në Facebook.
Pas nëntë muajsh, u krijua një skemë e re strehimi për personat e prekur nga rrjedhja, përmes së cilës janë zhvendosur deri tani 4,500 afganë në territorin britanik. Megjithatë, rrjedhja dhe zhvendosjet u mbajtën të fshehta, pasi qeveria britanike mori një urdhër “super-injunction” nga gjykata, që ndalonte publikimin e informacionit.
Detajet për rrjedhjen, reagimin e autoriteteve dhe numrin e afganëve të strehuar u bënë publike vetëm të martën, pasi një gjyqtar i Gjykatës së Lartë vendosi të heqë urdhrin e heshtjes.
Të dhënat e rrjedhura përfshinin emra, kontakte dhe informacione familjare të personave potencialisht të rrezikuar nga talibanët. Zyrtarët nuk konfirmuan nëse personi përgjegjës për rrjedhjen është ndëshkuar, duke thënë se nuk komentojnë për çështje individuale.
Qeveria britanike bëri gjithashtu të ditur se: Rreth 600 ushtarë afganë dhe 1,800 anëtarë të familjeve të tyre, të përfshirë në listën e rrjedhur, ndodhen ende në Afganistan;
Skema do të mbyllet, por ofertat për zhvendosje që janë bërë tashmë do të mbeten në fuqi;
Skema e fshehtë, me emrin zyrtar Rruga e Zhvendosjes Afgane, ka kushtuar deri tani 400 milionë paund dhe pritet të kushtojë edhe 400 deri në 450 milionë të tjera;
Të prekurit janë informuar vetëm këtë të martë për rrjedhjen e të dhënave;
Rrjedhja ndodhi përmes një dokumenti Excel, që u dërgua jashtë sistemit të autorizuar të qeverisë, një gabim serioz nga një zyrtar i paidentifikuar i Ministrisë së Mbrojtjes.
Duke folur në Dhomën e Komunëve, Sekretari i Mbrojtjes, John Healey, kërkoi falje për rrjedhjen, të cilën e cilësoi si një “gabim i rëndë institucional”.
“Ky është vetëm një nga disa humbje të të dhënave që ndodhën gjatë evakuimit nga Afganistani,” tha ai, duke shtuar se përveç civilëve, në listë ishin edhe zyrtarë të lartë ushtarakë dhe deputetë.
Ndërkohë, liderja e konservatorëve, Kemi Badenoch, kërkoi ndjesë në emër të partisë së saj. “Dikush bëri një gabim të tmerrshëm dhe emrat u publikuan… dhe ne kërkojmë ndjesë për këtë. Nuk duhej të kishte ndodhur,” tha ajo për LBC.

