I ftuar në ABC e mëngjesit” me Enkel Demin shkrimtari, Grigor Banushi ka folur për romanin “Vals në shkretëtirë”. Ai tregon se në qendër të këtij romani është përsëri figura e një gazetari e shkrimtari, të cilit nuk i ndahen shqetësimnet e peripecitë.
“Vals në shkretëtirë” një roman i Grigor Banushit dhe njëkohësisht pjesa e dytë e trilogjisë që nis me “Aromat e Vjeshtës”.
“Në këtë pjesë të dytë ai tashmë nuk është pre e intrigave të vogla dhe thashethemeve, por gjendet para shantazhit e kërcënimeve dhe një rreziku serioz për jetën. “Vals në shkretëtirë” paraqet ankthet e ditës dhe makthet e natës që kaplojnë personazhin kryesor i cili herë qëndron pasiv e herë guxon të përballet me to, duke kërkuar një zgjidhje që do t’i japë fund njëherë e përgjithmonë kësaj gjendjeje. Pjesa e dytë e trilogjisë është ndërtuar në formën e thrillerit, që e merr me vete lexuesin dhe e shpie në skutat e errëta ku kanë folenë krimi dhe korrupsioni” tha ndër të tjera Grigor Banushi.
Gjithashtu ai thekson se përdorimi i thrillerit mban ritmin sepse në fund të fundit letërsia është edhe një kuriozitet. I pyetur për lexuesit e rinj ai thotë së vështirësia qëndron te shpjegimi i termave. “Duhet një fjalor për shpjegimin e termave, akoma nuk ka letërsi elektronike”, tha Banushi.
Sipas tij është egoiste ti drejtohesh një drejtuesi elitar, mirë është të kemi një lexues të përgjithshëm, “tani kam hequr dorë nga referencat pasi lexuesi tashmë është i përgatitur”, tha shkrimtari./abcnews.al