Njihen periudhat e punës në ish-ndërmarrjet shtetërore para vitit 1993 për efekt pensioni edhe kur qytetarët nuk kanë dokumentet e nevojshme.
Ligji tashmë ka hyrë në fuqi dhe ka për qëllim njohjen si periudhë sigurimi, për efekt pensioni, të viteve të punësimit në ish-ndërmarrjet shtetërore, institucione shtetërore, në ish-ndërmarrje bujqësore dhe në ish-kooperativat bujqësore për ata qytetarë që nuk kanë mundur të sigurojnë dokumentacionin përkatës.
Në total përfitojnë rreth 30 mijë qytetarë të cilët nga sot mund të realizojnë aplikimet në e-albania.
Për të përfituar nga ligji, aplikantët duhet të dorëzojnë një Certifikata familjare e periudhës përkatëse, që provon vendbanimin si dhe vërtetimin penal, që provon se kërkuesi nuk ka qenë i dënuar për arsye jo-politike gjatë asaj kohe .
Çdo kërkesë për njohje të viteve të punës për efekt pensioni do të shqyrtohet më pas nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore sipas procedurave standarde të përfitimit të pensionit.
Në total kostoja minimale e shtuar në skemën e sigurimeve në një vit rezulton 6.9 miliardë lekë në vit.
Shumë qytetarë janë penalizuar, sepse nuk kanë pasur periudha kontributive pas vitit 1994, dhe nuk arrinin të plotësonin kushtin minimal të periudhës së sigurimit, gjë që ka detyruar shumë qytetarë t’i drejtohen gjykatave me kërkesëpadi për njohjen e këtyre periudhave./abcnews.al

