Qindra serb u mblodhën për manifestimin fetar në Manastirin e Graçanicës e për të vazhduar më pas në Gazemistan, afër Obiliqit. Ata do të mbajnë rituale fetare, si përkujtim i Betejës së Kosovës, i cili është mit i fitores për serbët.
Në zbatim të vendimit të gjykatës, policia nuk ka lejuar që dita e Vidovdanit të festohet me flamuj të Serbisë.
Gjatë kontrolleve, policia ndaloi një serb që mbante flamurin e vendit të tij dhe nuk e lejoi të kalojë. Po ashtu një tjetër u ndalua pasi iu gjet një armë plastike, e cila më pas u verifikua se nuk është e vërtetë.
Më 10 qershor të vitit të kaluar, Komuna e Graçanicës kishte marrë vendim që festa e Vidovdanit të shënohet dhe festohet me simbole dhe flamuj të shtetit serb.
Gjykata Themelore në Prishtinë e rrëzoi këtë vendim përfundimisht duke mos lejuar që në festën e “Vidovdanit”, të ketë simbole dhe flamuj serb.
Në arsyetim, gjykata tha se vendimi në fjalë mund të provokojë tensione ndëretnike, veçanërisht nëse perceptohet se autoritetet komunale favorizojnë një komunitet në kundërshtim me rendin ligjor.
Gjatë manifestimit të kësaj të shtune policia shtoi masat e sigurisë dhe rriti kontrollet për të parandaluar incidentet e mundshme.
Në rrugë për të garantuar sigurinë, ishin edhe ushtarë të KFOR.
Beteja e vitit 1389, e njohur ndryshe edhe si “Beteja e popujve”, u zhvillua mes forcave të Perandorisë Osmane dhe aleancës së popujve të Ballkanit.
Kjo betejë historike ndodhi në territorin e sotëm të Kosovës, në hapësirën mes lumenjve Llap dhe Sitnica.


