Interi nuk ia doli të mposhtë Barcelonën dhe aventura europiane e zikaltërve do të vijojë në Europa League. Katalanasit luajtën pa asnjë motiv dhe aktivizuan lojtarë të rinj, teksa fituan 1-2 në Milano.
Samir Handanovic nuk e fsheh zhgënjimin në prononcimin e dhënë pas ndeshjes. Portieri dhe kapiteni zikaltër, tenton t’i japë moral shokëve dhe fokusohet te ndeshja e ardhshme në Serie A, aty ku ekipi i Contes ndodhet në vend të parë.
“Sulmuam dhe patëm shumë raste, teksa na mungon një gol në pjesën e dytë. E dinim që Barcelona do të luante me kundërsulm, krijimi i distancave mes reparteve na lodhi. Sa më shumë që kalonte koha, aq më e vështirë bëhej për ne.
Na djeg kjo humbje, por nuk mendoj se do të ndikojë në ecurinë tonë në kampionat. Le të rikarikojmë bateritë dhe të përgatitemi për ndeshjen me Fiorentinën. E meritonim kualifikimin me atë që kemi dhuruar në fushë, por kemi treguar edhe ulje-ngritje në paraqitjet tona“, përfundon kapiteni i Interit. /abcnews.al