Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ndodhet në Hagë, ku edhe po merret në pyetje nga Prokuroria e Posaçme që trajton pretendimet për krime lufte dhe të pasluftës në Kosovë. Veseli një ditë më parë deklaroi se Gjykata e Posaçme, është sfidë, por edhe mundësi për të dëshmuar pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Intervistimi i kreut të PDK’së, Kadri Veselit, po vazhdon brenda objektit të Gjykatës Speciale në Hagë për më shumë se 2 orë e gjysmë.
“Çdo luftëtar i lirisë është krenar që ka pasur fatin t’i shërbejë atdheut të vet. Po ashtu edhe unë jam shumë krenar, e falënderoj Zotin për këtë. Historia e ushtrisë Çlirimtare e Kosovës është historia e së drejtës së popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Çdo luftëtar i lirisë është krenar që ka pasur fatin t’i shërbejë atdheut të vet. Po ashtu edhe unë jam shumë krenar, e falënderoj Zotin për këtë dhe dua ta them, ta konfirmoj edhe njëherë, me asnjë gjë nuk e ndërroj asnjë pjesë të asaj jete time krenare. Historia e ushtrisë Çlirimtare e Kosovës është historia e së drejtës së popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi”.
Kadri Veseli një nga udhëheqësit e ish- Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish- shefi i Shërbimit Informativ të Kosovës, është një nga zyrtarët më të lartë të thirrur për t’u paraqitur në Hagë, ku deri tani janë paraqitur mbi 200 ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më 19 korrik u thirr në Hagë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili dha dorëheqje duke bërë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare të cilat u mbajtën më 6 tetor.
Intervistimet filluan më 14 janar të vitit 2019 me Rrustem Mustafën, i njohur me emrin e luftës si komandant Remi, i cili gjatë luftës në Kosovë, drejtonte Zonën Operative të Llapit, një rajon në veri të Prishtinës. Gjykata e Posaçme e cila me emrin dhomat e specializuara vepron në Hagë, u miratua në fillim të muajit gusht të vitit 2015 nga parlamenti i Kosovës. Ideja për themelimin e saj pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Martty, për përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë./abcnews.al