Salzburg ëndërron një kualifikim të çmendur nesër në mbrëmje, pavarësisht vështirësive të mëdha. Gjiganti austriak pret Liverpool dhe mjafton një fitore për të vijuar aventurën në Champions League dhe për të eliminuar ekipin e Jurgen Klopp. Erling Haaland i ka bërë të gjithë për vete me golat e shënuar këtë sezon.
19-vjeçari norvegjez ia ka dalë të shënojë 28 gola në të gjitha kompeticionet gjatë këtij sezoni, teksa është golashënuesi më i mirë në Champions me 8 realizime në pesë ndeshje. Ylli i Salzburg e pranon në konferencën për shtyp se kjo është ndeshja më e rëndësishme në karrierë dhe ka një thirrje për shokët e skuadrës.
“Nesër do të zbresim në fushë të lirshëm, nuk kemi asgjë për të humbur dhe do të zbavitemi kundër Liverpool. Kjo është ndeshja më e rëndësishme në karrierën time. Ky është shkaku se pse luaj futboll, e bëj për të përjetuar ndeshje si kjo e nesërmja“, komenton sulmuesi i talentuar. /abcnews.al

