Kryesuesi i listës së mbyllur të Partisë Demokratike në Qarkun e Lezhës, Agron Gjekmarkaj, ka votuar rreth mesditës në shkollën 9-vjeçare të Ishull-Shëngjinit. Ai ishte i shoqëruar nga bashkëshortja dhe vajza e tij, ndërsa pas votimit dha një deklaratë për mediat.
“Sot është një ditë kyçe ku qytetarët do të marrin benefitet e demokracisë. Të jenë të lirë, vigjilentë dhe pjesëmarrës, që nesër të kenë Shqipërinë që dëshirojnë,” u shpreh Gjekmarkaj.
Ai theksoi rëndësinë e edukimit qytetar dhe simbolikën e votës, duke shtuar se e kishte marrë edhe vajzën me vete për ta mësuar me “shenjterinë e votës”. “Indiferenca është armiku më i madh i demokracisë dhe pjesëmarrja e fuqizon atë,” shtoi ai.
Në deklaratën e tij, Gjekmarkaj ngriti shqetësime për situatën e procesit zgjedhor, duke akuzuar institucionet shtetërore për dështim në garantimin e një procesi të ndershëm.
“Organet e shtetit po na vënë në situata para-demokratike, gati-gati para-shtetërore, pasi nuk po merren me ata që po e cenojnë procesin, ata që merren me shit-blerjen e votës,” u shpreh ai.
Gjekmarkaj tha se Partia Demokratike po evidenton çdo shkelje për t’iu drejtuar institucioneve kompetente dhe dënoi me forcë atë që e cilësoi si “kurth politik”. Ai shprehu shqetësim për vonesa dhe probleme teknike në proces, por shpresoi që ato të jenë të rastësishme dhe të rikuperohen në orët në vijim, në mënyrë që askush të mos mbetet pa votuar.

