Në draft-raportin e Parlamentit Evropian për Kosovën kërkohet heqja e masave të Bashkimit Evropian të vendosura në qershor të vitit 2023, për shkak të tensioneve në veri të vendit.
“Bëjmë thirrje për heqjen e menjëhershme të masave të BE-së ndaj Kosovës, të cilat nuk janë më të arsyeshme dhe janë në kontraditë me përkushtimin e dëshmuar të Kosovës ndaj vlerave evropiane dhe me përshtatjen e saj me politikat e BE-së”, thuhet në dokument.
Masat përfshijnë dhe ngrirjen e disa fondeve të BE-së dhe pezullimin e takimeve të nivelit të lartë me zyrtarët kosovarë.
Gjithashtu ky draft-raport vlerëson përkushtimin e Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian, ndërsa thekson se e ardhmja e Kosovës është në BE dhe se përpjekjet për ta nxjerrë vendin nga një zonë gri, janë në interes të Kosovës,por edhe të BE-së.
Në këtë draft-raport mbështetet, gjithashtu, aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE dhe ftohen vendet anëtare, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë pa vonesa të tjera.
Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras I cili ka përgatitur draft-raportin vjetor nënvizon “progresin domethënës në fushën e drejtësisë, të sigurisë dhe lirive, të luftës kundër krimit të organizuar dhe të funksionimit të ekonomisë së tregut”, por shpreh keqardhje për përparimin e limituar në sundimin e ligjit.
Draft-raporti vjetor për Kosovën do të paraqitet më 20 shkurt në një seancë të Komisionit të Politikës së Jashtme të PE-së./abcnews.al


