Rama viziton djalin e familjes Cakoni, u hodh nga kati 5-të për ti shpëtuar vdekjes

schedule20:50 - 30 Nëntor, 2019

schedule 20:50 - 30 Nëntor, 2019

Kryeministri Edi Rama vizitoi mbrëmjen e sotme dy fëmijë që kanë mbetur të plagosur nga termeti shkatërrimtar. Ata po marrin mjekim tek Spitali i Traumës dhe gjendja paraqitet e mirë.

Njëri prej tyre është Alesio Cakoni nga Thumana i cili është hedhur nga kati i 5-të natën e 26 nëntorit.

Teksa Rama bisedonte me të miturin, ndërhyn daja i cili thotë se Alesio u hodh nga kati i 5-të për ti shpëtuar vdekjes. “Pallati ku ai banonte është shembur. Alesio është pa shtëpi, z. Kryeministër… kur të dalë nga spitali nuk ka ku të shkojë”, tha daja i 10-vjeçarit.

Rama u përgjigj: “Alesio mund të vijë tek shtëpia ime”. Sakaq premton se të gjithë të mbijetuarit do të strehohen deri në mes të dhjetorit.

Alesio është djali i familjes Cakoni dhe në këtë tragjedi ka humbur babain dhe motrën, ndërsa nëna është në spital. Kastriot Cakoni, 50 vjeç dhe vajza Drita 15 vjeç janë përcjellë në banesën e fundit, por të mbijetuarit, nëna me djalin ende nuk e dinë për humbjen e madhe…