Këtë të mërkurë , në emisionin “Bardh a Zi” u komentua për krijimtarinë gjatë muajit Dhjetor. Për të folur për këtë çështje ishin të ftuar Petrit Beci, Edi Topi, Klotilda Harka dhe Leonard Bombaj.
Duke bërë një krahasim në vitet e mëparshme, Petrit Beci thotë se shumica dërrmuese e krijuesve të ekranit ose janë larguar nga vendi, ose kanë vdekur. Ndërkohë, regjisori Edmond Topi shprehet se problemi në ditët e sotme nuk qëndron te krijimtaria, por te tregu pasi është komercializuar.
Pjesë nga diskutimi:
Leonard Bombaj: Ngjarja e dhjetorit është lufta në media me rrjetet sociale. Rjeti social ka lajmet e veta ndërsa media vazhdon traditën e vet. Ka qenë më krijues. Dhjetori ka luftë kreativiteti në mënyra të ndryshme. Atëherë fokusi ka qenë një ekran. Kreativiteti ka qenë më i fokusuar. Gati gati festë kombëtare ishte nata e vitit të ri.
Klotilda Harka: Nuk ka kulmin jeta krijuese sepse edhe koha ecën shpejt. Më parë nata e vitit të ri ishte ‘Kjo natë sa një jetë’, tani ikin kaq shpejt këto dhjetorë sa na bëjnë të mendojnë që ‘Kjo jeta sa një natë’.
Petrit Beci: Me gjuhën e para ’90 e ka penguar armiku i brendshëm dhe i jashtëm. I brendshëm është keqdashja dhe paaftësia e njerëzve që kanë drejtuar dhe vazhdojnë të drejtojnë këtë vend. Shumica dërrmuese e krijuesve që kanë krijuar vlera pjesa më e madhe nuk jetojnë më. Në përgjithësi na ka mbytur mediokriteti në institucionet shtetërore dhe publike. Një pjesë nuk janë, një pjesë kanë ikur jashtë dhe një pjesë kanë një moshë të caktuar.
Edmond Topi: Nuk është puna se nuk ka krijues dhe nuk krijojmë më. Problemi është te tregu. Krijimtaria është këtu, por duhet ta kërkojmë. Tregu i sotëm nuk kërkon krijimtari, por para. Besoj se kjo është çështje sociale. Te ne komercialiteti është bërë shumë. Nuk kemi asnjë parametër tjetër matjeje përveçse paranë. Arditi ka mbetur artist dhe bën koncert të mirë. Bën më pak lekë se ai tjetri si Big Brother, i cili nuk është i orientuar nga cilësia. BB nuk na detyron njeri që ta shohin.
Petrit Beci: Përjashto segmente të caktuara në media, është që ndodhi një fenomen që duke qenë se media ka tre kolona bazë, informimin e saktë, edukimin dhe argëtimin e shëndoshë. Parimet themelore të medias. Çfarë ndodhi? Nisur nga niveli i përgjithshëm i shoqërisë shqiptare, media në vend që ta merrte shoqërinë dhe ta sillte te ekrani, ndodhi e kundërta. Duhet ta thithte dhe të plotësonte kriteret. Ka ndodhur, por përjashto segmente të caktuara që kanë produkt serioz, pjesa tjetër është ekstremist e komercializuar. Shumë programe nuk i përkasin shoqërisë shqiptare për mua./abcnews.al