Lautaro Martinez po konfirmon kualitetin e tij nga ndeshja në ndeshje. Mbi të gjitha po shënon gola dhe kjo është gjëja më e rëndësishme për Interin dhe tifozët zikaltër. Harmonia me Romelu Lukakun në sulm është perfekte dhe Antonio Conte ndihet i lumtur me dyshen e sulmit.
Barcelona e pëlqen shumë Martinez, të cilin e cilëson si pasardhësin e Luis Suarez. Kontrata e 22-vjeçarit me Interin përfundon në verën e vitit 2023 dhe klauzola e largimit të tij është 111 milionë euro.
Klubi italian ka në plan nisjen e negociatave për rinovim dhe Corriere dello Sport raporton shifrat e para. Takimet zyrtare do të nisin në fund të merkatos së janarit dhe oferta e parë e Interit do të jetë rroga prej 3.5 milionë eurosh.
Sulmuesi latin përfiton për momentin 2.2 milionë euro dhe agjenti i tij do t’i kërkojë zikaltërve një rroge sezonale prej 5 milionë eurosh. Nëse Martinez vazhdon me formën dhe efikasitetin që ka aktualisht, Interi do të detyrohet t’i plotësojë çdo dëshirë, mjafton që lojtari të rinovojë.