Uzuni, më i miri i shekullit/ Shqiptari vazhdon të mahnisë në ligat spanjolle, askush nuk krahasohet me të në vitet 2000

schedule13:47 - 19 Dhjetor, 2024

schedule 13:47 - 19 Dhjetor, 2024

E përditshmja “AS”, e thotë shumë qartë.

Myrto Uzuni qenka I lindur për t’u bërë një legjendë te Granada në Spanjë, ndërsa legjenda e tij rritet sa më shumë kalojnë javët.

Me 3 golat e fundit të realizuar në suksesin 4-1 të ekipit të tij ndaj Kartagjenës në Ligën e Dytë spanjolle, sulmuesi kuqezi forcoi pozitat si shënuesi më i mirë I klubit në shekullin e 21-të.

Më herët, ai kishte thyer rekordin e Jusef El Arabit nga Maroku, si lojtari i huaj me më shumë rrjeta për bardhekuqtë.

Aktualisht, Uzuni ka 49 dhe El Arabi kishte mbërritur në 44.

Interesante një video e publikuar më pas, kur sulmuesi shqiptar mori topin e ndeshjes, Granada-Kartagjena, pasi shënoi tri herë, ndërsa sfera u firmos edhe nga trajneri i tij, Fran Eskriva.

Uzuni synon të jetë shënuesi më i mirë i Ligës së Dytë të Spanjës, duke pasur 14 gola, por duke mbetur në vend të dytë pas Luis Suarezit, që gjithashtu shënoi tri herë javën e fundit.

Sulmuesi kuqezi ka mesataren e shkëlqyer 0.82 gola për ndeshje, dhe është lojtari që merr përsipër më shumë gjuajtje te Granada në kampionat, plot 41./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!