Organizata për të drejtat e Njeriut, Human Rights Watch (HRW) ka thënë të enjten se Izraeli i ka vrarë mijëra palestinezë në Rripin e Gazës duke ua mohuar ujin e pastër.
Kjo, shtoi HRW-ja, përbën akte gjenocidi dhe shfarosjeje.
“Kjo politikë, e sjellë si pjesë e vrasjes masive të civilëve palestinezë në Gazë, nënkupton se autoritetet izraelite kanë kryer krim kundër njerëzimit, shfarosje, gjë që po vazhdon. Kjo politikë përbën edhe ‘vepër gjenocidi’ sipas Konventës së Gjenocidit nga viti 1948”, tha HRW-ja në një raport.
Izraeli i ka hedhur poshtë vazhdimisht akuzat për gjenocid, duke thënë se e respekton ligjin ndërkombëtar dhe se ka të drejtë ta mbrojë veten, pas sulmit që Hamasi e kreu në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, i cili e nxiti luftën në Gazë.