“Siria nuk është kërcënim për botën”, udhëheqësi rebel: Sanksionet duhet të hiqen, s’mund të trajtohemi njësoj me shtypësin

schedule07:15 - 19 Dhjetor, 2024

schedule 07:15 - 19 Dhjetor, 2024

Udhëheqësi de fakto i Sirisë, Ahmed al-Sharaa thotë se vendi është i rraskapitur nga lufta dhe nuk është një kërcënim për fqinjët e saj apo për Perëndimin. Në një intervistë për BBC në Damask, ai bëri thirrje për heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë.

“Tani, pas gjithë asaj që ka ndodhur, sanksionet duhet të hiqen sepse ato ishin në shënjestër të regjimit të vjetër. Viktima dhe shtypësi nuk duhet të trajtohen në të njëjtën mënyrë,” tha ai.

Sharaa udhëhoqi ofensivën e rrufeshme që rrëzoi regjimin e Bashar al-Asad më pak se dy javë më parë. Ai është udhëheqësi i Hayat Tahrir al-Sham (HTS), grupi dominues në aleancën rebele, dhe më parë njihej me emrin e tij de guerre të Abu Mohammed al-Jolani.

Ai tha se HTS duhet të hiqet nga lista si një organizatë terroriste, e caktuar nga OKB-ja, SHBA, BE dhe Britania e Madhe, ndër shumë të tjera, pasi filloi si një grup i ndarë i al-Kaedës, nga i cili u shkëput në vitin 2016.

Sharaa mohoi se do ta kthejë Sirinë në një version të Afganistanit.

“Ne kemi pasur universitete në Idlib për më shumë se tetë vjet,” tha Sharaa, duke iu referuar provincës veriperëndimore të Sirisë që është mbajtur nga rebelët që nga viti 2011. “Unë mendoj se përqindja e grave në universitete është më shumë se 60%.

Kur u pyet nëse konsumimi i alkoolit do të lejohej, Sharaa tha: “Ka shumë gjëra për të cilat thjesht nuk kam të drejtë të flas sepse janë çështje ligjore.”

Ai shtoi se do të ketë një “komitet sirian ekspertësh ligjorë për të shkruar një kushtetutë. Ata do të vendosin. Dhe çdo sundimtar apo president do të duhet të ndjekë ligjin”./abcnews.al

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!