Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen thotë se shpresa ka rilindur për sirianët pas shumë dekadash, me rënien e regjimit shtypës të Bashar al-Assad ditë më parë.
“Për herë të parë në dekada, shpresa rilind në Siri”, deklaroi ajo duke përshëndetur çlirimin për popullin sirian.
“Por nëse Siria e vjetër nuk është më, e reja nuk ka lindur ende”, paralajmëroi von der Leyen, duke detajuar sfidat e tranzicionit politik që do të vijnë si respektimi i unitetit kombëtar, siguria dhe respekti për pakicat, apo lufta kundër organizatës Shteti Islamik.
“Udhëheqësit e rinj të Damaskut duhet të dëshmojnë se veprimet e tyre përputhen me fjalët e tyre,” u shpreh ajo.
Diplomatja shtoi se Evropa do të luajë rolin e saj në muajt në vijim, duke ofruar ndihma humanitare, por edhe duke ndihmuar në rindërtimin politik të vendit.