Ndjekje, kontroll dhomash dhe përgjim telefonash, si inteligjenca hungareze spiunonte zyrtarët e BE

schedule10:47 - 7 Dhjetor, 2024

schedule 10:47 - 7 Dhjetor, 2024

Agjencia e inteligjencës hungareze i spiunonte zyrtarët e BE-së që vizitonin vendin, duke kontrolluar dhomat e tyre të hotelit dhe regjistruar bisedat e tyre telefonike, raporton Politico.

Një hetim i përbashkët nga Direkt36 dhe De Tijd zbuloi se Zyra e Informacionit e Hungarisë (IH), ekuivalenti i CIA-s në Budapest, synonte hetuesit në Zyrën Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), e cila në një moment po kërkonte një kompani hungareze në pronësi të dhëndrit të Viktor Orban.

Raporti i qendrës investigative hungareze të medias Direkt36 dhe gazetës belge De Tijd citoi shembuj midis viteve 2015 dhe 2017, në të cilat zyrtarët e BE-së që punonin për OLAF-in, të cilët kishin udhëtuar në Hungari, ishin ndjekur fizikisht gjatë udhëtimeve me makinë dhe u përgjoheshin telefonat.

Në raport thuhet se kontrollimi i dhomave të zyrtarëve evropiane dhe marrja e informacionit nga telefonat e tyre, është një praktikë e zakonshme e agjencisë së spiunazhit hungarez.

I kontaktuar nga Politico, Bertalan Havasi, shefi i shtypit i zyrës së Orbanit, tha: “Nuk kemi të bëjmë me lajme të rreme”.

Budapesti është akuzuar prej kohësh për hakerimin e telefonave të gazetarëve, aktivistëve dhe figurave të opozitës, me një ligjvënës hungarez që pranoi në vitin 2021 se qeveria kishte blerë spyëare izraelit. Në fillim të këtij viti, një deputet kritik ndaj Hungarisë ishte gjithashtu në shënjestër të një sulmi kibernetik.

Një zëdhënës i OLAF tha se agjencia nuk komenton mbi akuza specifike. “Ne mbetemi të përkushtuar për të kryer misionin tonë, me partnerët tanë operacionalë, me paanshmëri dhe në respekt të plotë të sundimit të ligjit”, tha zëdhënësi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!