Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë Jeff Hovenier, pas një takimi me kryeministrin Kurti deklaroi se është ende herët për të vendosur gishtin nga autorët, por vendi i tij dhe Bashkimi Europian mbështet hetimin e plotë të ngjarjes.
Pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti mëngjesin e kësaj të hënë , ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë, Jeff Hovenier Hovenier përsëriti se SHBA e dënon “sulmin në infrastrukturën e Kosovës” duke deklaruar se mbështet hetimet, por ka theksuar se është ende herët për të drejtuar gishtin nga autorët.
“Dua të theksoj disa gjëra nga ana e ShBA-së, ne e dënojmë fuqishëm këtë sulm të tmerrshëm në infrastrukturën kritike të Kosovës, që ka shënjestruar furnizimin me energji elektrike, ngrohjen dhe ujin e pijshëm të vendit. ShBA mbështet një hetim gjithëpërfshirës, kemi ofruar përkrahjen tonë të plotë për institucionet e Kosovës.
Por në këtë pikë, Shtetet e Bashkuara nuk janë në gjendje të thonë se kush qëndron prapa sulmit. Është herët për një gjë të tillë dhe këto gjëra kërkojnë hetim të kujdesshëm. Gjithashtu nuk jam në gjendje të përjashtoj asnjë grup, shtet apo ndonjë gjë tjetër. Është shumë herët, nuk e dimë ende. ” –
Ndërsa shefi i zyrës së BE’së në Kosovë, Aivo Orav, ka përsëritur thirrjen e përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili ka dënuar ashpër sulmin e 29 nëntorit në Ibër Lëpenc, dhe e ka quajtur sabotazh e akt terrorist.
Këtë fillim javë, gjatë të konference të përbashkët me kryeminsitrin Kurti, ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli ka njoftuar se për shkak të rrjedhjeve të ujit në pjesën e kanalit që është dëmtuar nga sulmi i 29 nëntorit, për të ruajtur sigurinë e kanalit, është e domosdoshme të gjendet një zgjidhje e re inxhinierike.
Rizvanolli tha se për të realizuar punët në kanal, furnizimi i kanalit me ujë është ndërprerë mesnatën e së dielës.
Si rrjedhojë, sipas saj komunat që furnizohen me ujë nga Ibër Lepenci mund të kenë reduktime gjatë kësaj të hënë.
Një shpërthim i fuqishëm u dëgjua të premten në mbrëmje në fshatin Varragë të Zubin Potokut, duke dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit duke e kthyer edhe njëherë situatën në veri në qendër të vëmendjes vetëm dy muaj përpara zgjedhjeve në Kosovë.